I akuzuari, pa ndjenja në gjykatë
SARANDE/ SHPRESA DINE
Të akuzuarit për trafik klandestinësh i bie të fikët në sallën e gjyqit. Pas akuzës së avokatit, të dy të rinjve nga Vlora se ishin dhunuar në ambientet e policisë së Sarandë, një skenë e rëndë përsëritet para togave të zeza. Aristil Gllucaj, 18 vjeç, është rrëzuar pa ndjenja dhe pse më parë i ishte përgjigjur gjykatësve se ishte mirë. Ai është dërguar bashkë me 19-vjeçarin Oltion Varfi për në Gjykatën e Rrethit me akuzën e “favorizimit të trafikut klandestin”, pasi u kapën bashkë me 5 persona të tjerë në autobusin e linjës Sarandë-Qafë Botë. Seanca ndaj tyre ka nisur në orën 13:00, por vetëm 30 minuta pas fillimit të saj, 18-vjeçari Gllucaj, i cili ishte sjellë në sallën e gjyqit nga spitali, ka humbur ndjenjat duke përplasur kokën në tryezën e bankës së të akuzuarve. Efektivë të policisë, të cilët mbikëqyrnin procesin, e kanë transportuar të riun menjëherë drejt urgjencës së spitalit të Sarandës. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se gjatë qëndrimit në sallën e gjyqit, i pandehuri ka paraqitur shenja lodhjeje dhe këputje. Ai është pyetur disa herë nga gjyqtarja dhe toga e policëve shoqërues në lidhje me shëndetin e tij, ndërkohë që vetë i pandehuri ka thënë se ndihej mirë. Në momentin që ai ka humbur ndjenjat, ka qenë vetë gjyqtarja Enkeleda Doda që kërkoi transportimin e tij me urgjencë drejt spitalit. Ndërkohë, në sallën e gjyqit ka vazhduar seanca gjyqësore në prani të të pandehurit Oltion Varfi, por në mungesë të 18-vjeçarit Gllucaj. Përballë akuzës, Varfi dhe avokati mbrojtës kanë qenë mohues, duke bërë që gjykata të vendosë lënien në burg të të rinjve vetëm me 30 ditë. Nisur nga denoncimi publik i bërë nga avokati mbrojtës i të rinjve, dje mbërriti në Sarandë një ekip nga Avokati i Popullit, që po shqyrtojnë rastin. Skënder Haluçi, zëvendësi i këtij institucioni, u shpreh se është duke u hetuar mbi të gjitha rrethanat e ngjarjes. “Ne kemi grumbulluar dokumentacion si nga komisariati, ashtu edhe nga spitali i Sarandës. Do të kërkojmë një ekzaminim mjeko-ligjor të dëmtuarve pranë Instituti të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ndërkohë që po vazhdojmë hetimet tona në lidhje me zbardhjen e plotë të ngjarjes. Më pas institucioni i Avokatit të Popullit do t’i bëjë publike konkluzionet e dala nga hetimi i çështjes”.
Ndërsa i ati i të pandehurit Varfi, Ilirjani, deklaroi dje se i biri ishte nisur si klandestin e jo si trafikant. “Djali im është nisur me autobus. Më tha se do të kalonte kufirin si klandestin dhe do të hidhej për në Greqi. Megjithatë, nëse drejtësia e gjen djalin tim fajtor, ta dënojë sipas neneve në fuqi, por jo të ma keqtrajtojë policia”, deklaroi ai. Burime konfidenciale nga policia pohojnë dhe faktin tjetër, se gjithçka mund të jetë inskenuar, me qëllim çlirimin e dy të pandehurve nga akuza. E vetmja gjë që pritet ta provojë këtë është ekspertiza mjeko-ligjore.