E Diel, 1 Nëntor 2026

Debat për mbetjet urbane, Shqipëria plehra edhe për eksport

Dëmet ekonomike nuk kursejnë as plehrat. Dështimi i pushtetit vendor në pastrimin e qyteteve, me bekimin e pushtetit qëndror kanë krijuar situatë ironike me mbetjet urbane. Të vërtetën e dhimshme e ka artikuluar thjeshtë para deputetëve të komisionit të veprimtarive prodhuese kreu i shoqatës së ricikluesve.

“Unë shtroj një pyetje: A ka nevojë për import industria e riciklimit nëqoftëse merret nga vendi? Zotërinj të nderuar, nëqoftëse ne mbledhim të gjithë materialet, lëndët e para të riciklueshme jo vetëm që nuk ka nevojë për import, por ka nevojë për eksport” tha Bardhyl Baltëza, kryetar i shoqatës së ricikluesve.

Të thirrur para miratimit të listës së importit të mbetjeve për riciklim drejtuesit e shoqatës kanë dhënë edhe variantin e tyre për kërkesën që kanë bërë për import.

“Ne nuk njihemi si shtet riciklues në komuniteti europian dhe të gjitha përpjekjet tona për t’u atashuar në programet europiane kanë ndeshur në një ‘ju nuk keni listën jeshile’, ‘nuk jeni të aprovuar’. Në këtë kuadër ne i kërkuam direkt kryeministrit që të aprovohej lista jeshile dhe problemi i aprovimit të listës jeshile nuk do të thotë që u aprovua një listë për importin e mbetjeve urbane ashtu sic është trumbetuar, ashtu sic është bërë gjithë kjo zhurmë” tha Baltëza.

Komisioni i veprimtarive prodhuese ka dëgjuar deri më tani të gjithë palët e interesit dhe pritet të miratojë listën e mbetjeve për riciklim që ka hartuar qeveria.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›