E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: 2011, vit sfidash. Qeveria të bëjë kujdes me buxhetin

Viti 2011 do të jetë përsëri një vit sfidash dhe për këtë arsye trajtimi i zërave të buxhetit duhet të jetë sa më realist. Këtë thirrje ka bërë guvernatori i bankës qëndrore Ardian Fullani, sipas të cilit menaxhimi i të ardhurave dhe borxhi publik përbëjnë rreziqe për stabilitetin ekonomik të vendit.

“Në kushtet kur borxhi publik mbetet në nivelin e 60% të PBB, ne e gjykojmë si të domosdoshme ruajtjen e vigjilencës fiskale dhe ne vitin e ardhshëm dhe vitet që vazhdojnë. Në këtë kontekst, hartimi i buxhetit dhe i projeksioneve të treguesve fiskalë për vitin 2011 dhe në vazhdim duhet të bazohet mbi supozime dhe parashikime të kujdesshme duke adresuar edhe faktorët potencialë të rrezikut” tha Fullani.

Guvernatori ndonëse flet për rritje ekonomike bazuar në shifrat që jep tregohet se kjo rritje mbetet modeste. Sipas tij kreditimi nga bankat dhe investimet private janë mundësitë më të mëdha për të vijuar me rritjen.

“Projeksionet tona për të ardhmen ruajnë në nivele aktuale ritmet e rritjes ekonomike dhe flasin për presione përgjithësisht të kontrolluara inflacioniste. Ato faktorizojnë një kontribut më të madh të sektorit privat në gjenerimin e rritjes ekonomike si dhe një mbështetje më të madhe të ekonomisë në kërkesën e brendshme ndaj asaj të huaj” tha Fullani.

Bazuar në treguesit ekonomikë të momentit guvernatori tha se këshilli mbikqyrës i bankës nuk e ndryshoi normën e interesit dhe se nuk pritet ndonjë përkeqësim i këtyre treguesve.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›