E Diel, 1 Nëntor 2026

Gurorja nxjerr jashtë përdorimit rrugën Korçë-Dogana e Goricës

29/01/2009  Paralizohet komunikimi me Maqedoninë dhe Bullgarinë

Qarkullimi i njerëzve, mjeteve dhe tregtarëve vihet në vështirësi

KORÇE- Aksi rrugor që lidh qytetin e Korçës, por edhe atë të Devollit me zonën e Liqenasit dhe doganën e Goricës ka dalë jashtë përdorimit. Tashmë kjo rrugë duke filluar nga dita e mërkurë dhe në vijim (deri në realizimin e devijimit të saj) do të jetë një rrezik imediat për qarkullimin e njerëzve dhe të automjeteve, veçanërisht të atyre me tonazh të rëndë, pasi këto të fundit mund ta përshpejtojnë shembjen dhe çarjen e tokës. Dalja jashtë përdorimit e kësaj rruge do të sjellë vështirësi edhe për biznesin e tregtarëve që vijnë nga rrethe të tjera të vendit. Ky aks rrugor që lidh rajonin e Korçës me doganën e Goricës, përveçse ka pësuar çarje të mëdha, në të njëjtën kohë vazhdon të çedojë edhe të shfryjë, çka do të thotë së në ditët që do të pasojnë do të ketë një shembje të mundshme të plotë të rrugës. Gjithsesi nga autoritetet e qeverisjes vendore është parë si zgjidhje devijimi nga vendi i shembur dhe ndërtimi i një copë rruge tjetër që anashkalon rrezikun. Aktualisht pritet që të nis ndërtimi i segmentit të ri rrugor. Deri atëherë ky rajon me doganën e Goricës do të ndihet i paralizuar. Nga burime zyrtare mësohet se shembja e rrugës ka ardhur si rezultat i shpërthimit të minave nga ana e gurores që operon mbi fshatin Zvezdë. Megjithatë, deri më tani nuk është dhënë asnjë informacion, nëse ka patur shkelje ligjore nga ana e gurores ose jo, përveç faktit se ky aktivitet do të verifikohet në gjithë dokumentacioni e tij nga ku do të dalin edhe përgjegjësitë reale. Ky aks rrugor lidh gjithë rajonin e Korçës me marrëdhëniet tregtare me Maqedoninë dhe Bullgarinë. Madje ka qenë kjo arsyeja që prefektja e qarkut Korçë, prof. dr. Elfrida Zefi ka kërkuar nga institucionet përkatëse zgjidhjen e menjëhershme të kësaj situate dhe mënjanimin e çdo lloj rreziku për jetën e udhëtarëve dhe automjeteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›