E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet kodra në Currila, "ortek" dheu mbi banesat

 

DURRES/ OERD ULQINI

Katër familje kanë shpëtuar për mrekulli, kur një "ortek" dheu u rrëzua papritur në oborret e shtëpive të tyre. Kësaj here fati ka qenë në anën e banorëve, pasi masivi i dheut nuk ka goditur muret e shtëpive përdhese, por vetëm gardhet.  Ngjarja ndodhi në orën 07:30, duke sjellë panik kolektiv për të paktën 30 banorë. Mbi 500 metra kub argjilë është derdhur furishëm nga lartësia prej 100 metra e kodrave të Durrësit, duke sjellë alarm në rrugën Universitet-Currila. Shkarja masive e dheut nuk ka njohur ndërprerje, duke rrezikuar jo vetëm jetët njerëzore, por edhe izolimin e pjesës më të bukur të Durrësit. Aksi rrugor i shëtitores bregdetare ka mbetur i bllokuar gjatë të gjithë ditës, pavarësisht përpjekjeve të panumërta, për të transportuar dheun me kamionë. Shkak për këtë situatë janë bërë reshjet e pandërprera të shiut, të cilat janë duke e shkrirë sikur të ishte "gjalpë" kodrën e qytetit. Erozioni po vepron me agresivitet të lartë, për faktin se kjo është një kodër me pjerrësi që varion nga 80-90 gradë, në të cilën mungojnë pemët. Në aksion, për përballimin e situatës është futur menjëherë policia e shtetit. Krerët e saj i kanë bërë thirrje familjarëve të evakuohen me urgjencë. Paralelisht me këtë veprim ka filluar edhe pastrimi i rrugës, në të cilin u angazhuan mjete të rënda transporti. Por çdo gjë ka rezultuar e kotë, pasi nga Kodër-Vila rrjedhja e argjilës nuk kishte të sosur. Policia i druhet ndonjë shkarje akoma më të madhe dheu, ndaj po koordinon në terren veprimet, duke marrë si masë paraprake ndalimin e qarkullimit. Por pavarësisht rrezikut të madh, disa familjarë nuk kanë dashur të braktisin banesat, të cilat janë pasuria e tyre e vetme. "Jemi në ankth. Kemi tre ditë që nuk flemë, duke bërë roje me sytë nga kodra", shprehet një prej familjarëve të kërcënuar. Bëhet fjalë për banesa, të cilat janë në proces legalizimi, por që agjencia përkatëse i ka dhënë vazhdimisht një përgjigje negative të interesuarve, pikërisht për rrezikshmërinë e lartë që ato paraqesin. Në Kodër-Vilë, ALUIZNI ka skeduar të paktën 200 banesa, të cilat duhet të braktisen menjëherë, pasi përbëjnë një vatër konstante rreziku. Banorët janë gati të firmosin me dorën e tyre një kontratë në të cilën ata "e marrin parasysh rrezikun", por edhe kjo përpjekje është refuzuar nga agjencia. Evakuimi i të gjithë banorëve do të krijonte një problem të madh social, ndaj kjo mbetet një ndër çështjet më të vështira për t'u zgjidhur në Durrës. Popullimi i shpejtë i Kodër-Vilës, pati pasojë direkte ndërtimet pa kriter dhe prerjet e pemëve. Këto ndërtime me dhe, pa leje, kanë bërë që jeta e vetë banorëve të shoqërohet me frikë dhe ankth sa herë që bie shi. Po dje, i gjithë qyteti i Durrësit është mbuluar nga uji. Bllokimi i kolektorëve dhe mungesa e kanalizimeve ka bërë që hyrja e qytetit, lagjet periferike 13, 14, 15 dhe 18, ish-Këneta, Shkozeti dhe Spitalla të jenë të përmbytura. Banorët thonë se kjo gjendje është e zakonshme sa herë që ka reshje të pandërprera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›