E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallet qytetar nderi Ali Agjahu, bamirësi i Elbasanit

29/01/2009  Ai dhuroi të gjithë pasurinë e tij për arsimin e fëmijëve elbasanas

ELBASAN- Stafi i mësuesve dhe drejtoria e shkollës “Ali Agjahu” i ka propozuar Këshillit Bashkiak të Elbasanit shpalljen Qytetar Nderi të bamirësit të madh të arsimit, Ali Agjahut. Këshilltarët kanë miratuar këtë mbledhje dhënien e titullit qytetar nderi për bamirësin elbasanas në arsim, Ali Agjahun, me motivin për kontributin e madh të dhënë për arsimimin e brezave të tërë me dhuratën e tij për ndërtimin e një prej godinave më të vjetra të qytetit të Elbasanit, shkolla që sot mban emrin e tij. Testamenti i tij mbahet edhe sot si një prej testamenteve më të dashura që shpreh edhe dashurinë e këtij njeriu për fëmijët duke u dhuruar atyre një objekt ku të merrnin dituri. Ali Agjahu njihet si një nga atdhetarët më të zellshëm dhe më aktivë në prefekturën e Elbasanit dhe më i hershmi mirëbërës që e la pasurinë e tij në shërbim të ndërtimit të godinave për arsimin. Shtëpia e tij gjatë kryengritjes antiosmane në vitin 1912 është kthyer në një strehë për bërthamën e kryengritësve elbasanas, të cilët kanë marrë vendim për të dalë maleve në luftë kundër zgjedhës turke. Ali Agjahu ka qenë gjithashtu përfaqësues i Elbasanit në mbledhjen e Sinjës në Berat ku edhe u firmos një memorandum drejtuar Sulltanit me kërkesa që lidheshin me autonominë e Shqipërisë. Në 10 gusht të vitit më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, Agjahu kryesoi mbledhjen e rreth 1 mijë kryengritësve e zhvilluar në Kryezjarr ku u formulua deklarata e miratimit të kërkesave të njohura të Hasan Prishtinës. Pas shumë peripecish dhe mërgimi të imponuar ai vdiq në Vlorë në moshën 48-vjeçare. Gazeta Kuvendi që botohej në Romë bënte mbylljen e kronikës së saj për Ali Agjahun me rreshtat: “...Ali Agjah Elbasani, sipër gjithash shqiptar me ndjenja të thjeshta dhe të rrënjosura, hyn lumturisht në radhën e burrave mirëbërës mendjendritur. Ai nuk dhuroi pasurinë e tij, atij apo këtij vakëfi po ia dhuroi Shqipërisë me porosi të kthjellët dhe të caktuar për shkollat. Sepse shkollat dhe vetëm ato do t’ia shpejtojnë çapin Shqipërisë, e t’i arrijë shoqet që kanë mërguar shumë me vrapin e tyre kundrejt qytetërimit..”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›