E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate PS-PD dhe për tregtinë e armëve

Maxhoranca dhe opozita janë përfshirë dje në akuza të drejtpërdrejta, në lidhje me tregtinë e armëve dhe municioneve që vendi ynë ka bërë gjatë viteve të fundit. Debati ka marrë spunto pikërisht nga diskutimi i marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së NATO-s, për mirëmbajtjen dhe furnizimin (NAMSA) për demontimin e municioneve. Deputetët e opozitës duke shfrytëzuar rastin, kanë harruar të flasin për përmbajtjen e kësaj marrëveshje, ndërsa kanë fokusuar të gjitha diskutimet e tyre tek tregtia e armëve dhe municioneve, duke akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes se e ka bërë këtë në kundërshtim me ligjet. Braçe e cilësoi të nevojshme marrëveshjen, por siç tha ai, kjo marrëveshje nuk zgjidh transaksionet që shtetas serbë, malazezë e boshnjakë, kryejnë ilegalisht në Shqipëri. Gjithashtu, ai ka theksuar se armët dhe municionet janë shitur nga vendi ynë edhe në vende të nxehta, të cilat përdoren kundra njerëzve të pafajshëm, siç është rasti i Jemenit apo Libisë. “Ne kryejmë transaksione armësh me shtetas serbë, Ministria e Mbrojtjes dhe MEIKO kanë hyrë në marrëdhënie edhe me tregtarë serbë. Euronews tregoi predhat kineze tona, që janë dërguar si arme në Libi, në raportin e OKB dëshmohen predhat e armët që janë dërguar në Jemen vetëm për vitin 2009 e vende të tjera arabe”, - tha Braçe, ndërsa ka denoncuar faktin se shumë nga këto armë nuk janë regjistruar në dogana. Ndërkohë që ndaj këtyre akuzave ka reaguar vet ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili duke iu referuar fillimisht marrëveshjes, ka theksuar se ajo është një zgjidhje për armët e vjetëruara. Ndërkohë, lidhur me akuzat e ngritura nga opozita, ai ka sqaruar se raporti që i referohen deputetët e majtë është një raport që përgatitet nga Autoritetit i Kontrollit Shqiptar dhe që botohet fjalë për fjalë dhe nga OKB. “Nuk ka asnjë lloj mospërputhje me raportin e licencimit nga ky Autoritet dhe atij raportit të realizimit të një tregtie të caktuar, brenda vitit 2009. Kështu që qeveria e Jemenit, pavarësisht mendimit tuaj, është një qeveri që lufton kundër terrorizmit dhe është një qeveria aleate, ndërsa çështjet e demokracisë janë çështje që do të zhvillohen edhe në Jemen, si kudo tjetër, por kjo nuk pengon që të kryhen tregti të ligjshme me këto vende”, - tha Imami, ndërsa ka bërë të ditur se në vitin 2009 është lidhur një kontratë që nuk është realizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›