E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në Bruksel, BE shtyn EULEX: Shkaqe teknike-ligjore

Bashkimi Evropian ka njoftuar dje se sipërmarrja e kompetencave të administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara, planifikuar për më 15 qershor, do të shtyhet për shkaqe teknike dhe debate ligjore. 

Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner ka pranuar se vendosja e misionit EULEX do të pësojë disa vonesa, ndërsa shefi i politikës së Jashtme të BE, Havier Solana, tha se blloku evropian duhej të priste për të parë se si do të zhvillohej situata. Para takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian Solana ka pranuar se të dyja misionet, UNMIK dhe EULEX, mund të veprojnë në të njëjtën kohë në një fazë të parë.
Sipas gazetës britanike “Monster & Critics” ministri italian i Mbrojtjes, Ignazio la Russa, ka deklaruar se në takimin e ministrave të BE-së në Bruksel u diskutua mbi mundësinë e  shtyrjes së këtij misioni deri në vjeshtë. “Planet e kontingjentit tonë, përfshirë çështjen e transferimit të autoritetit nga UNMIK po vazhdon. Ne do të bëjmë llogaritje operative në rast të ndryshimit të kontekstit politik dhe strategjik”, tha Solana. Ministri i Jashtëm slloven, vendi që kryeson aktualisht BE-në, Dimitrij Rupel, ka thënë se gjithë angazhimi i BE-së po shkon në drejtim të vendosjes së misionit në tërë territorin e Kosovës dhe mosvendosja eventuale në tërë territorin do të ishte në kundërshtim me vendimet e BE-së. Misioni i BE-së, EULEX ishte planifikuar të niste më 15 qershor, kur Kushtetuta e shtetit të ri do të hynte në fuqi. Por tranzicioni i planifikuar është penguar nga mungesa e bashkëpunimit mes dy organizatave ndërkombëtare si dhe problemet ligjore. BE insiston se misioni EULEX mbulohet nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndërsa Rusia, e cila ka të drejtë vetoje në KS në Nju Jork, nuk e pranon këtë. Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, tha dje në Bruksel se Serbia vazhdon të kundërshtojë çdo mision ndërkombëtar në Kosovë, i cili nuk do të jetë i lejuar me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Solana u shpreh se ai ka planifikuar që ta diskutojë këtë çështje me sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Mun të enjten. Jean Asselborn, ministri i Jashtëm në Luksemburg, shtoi se BE duhet të tregohet e kujdesshme dhe të mos krijojë ndarje në Kosovë duke e lënë OKB-në (UNMIK) në detyrë, në rajonin shpërthyes në veri të Kosovës, në Mitrovicë, e banuar nga shumica serbë. Për më tepër, vështirësive të BE-së për këtë mision i janë shtuar edhe mosmarrëveshjet dhe miratimi i shtatë vendeve brenda unionit, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Mes tyre janë Spanja, Portugalia dhe Greqia. Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›