E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, nisin punimet për rrugën e Skelës, 60 ditë afati i mbarimit

VLORE – Ndonëse është hapur prej ditësh sezoni turistik në Vlorë, dje nisën punimet për rikonstruksionin e një prej akseve më të rëndësishëm të saj, nga Skela në Ujin e Ftohtë. 

Sipas bashkisë, punimet do të zgjasin rreth 60 ditë për të krijuar lidhjen e shpejtë të qendrës së Vlorës me pjesën tjetër të bregdetit dhe zonat turistike. Nisja e punimeve ishte caktuar ditë më parë, por kushtet atmosferike ndikuan në shtyrjen e afatit. Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ishte dje në zonë për të inauguruar fillimin e punimeve. Sipas tij, fondi për rikonstruksionin është siguruar nga të ardhurat e vetë bashkisë, që arrin në 30 milionë lekë për aksin 3.5 km i gjatë. Punimet që janë parashikuar për t’u kryer janë asfaltim, ndriçim, trotuare, kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha. Në këtë aks nuk është investuar më parë, duke bërë që e gjithë gjatësia e saj të mbushet me gropa. Deri në realizimin e investimit, vizitorët dhe turistët që dëshirojnë të kalojnë pushimet në këtë qytet, duhet të presin deri në muajin gusht. Kryebashkiaku Gjika pohoi se mungesa e investimeve nga ana e qeverisë dhe mungesa e projekteve nga Ministria e Turizmit janë një deficit i madh për qytetin bregdetar që, sipas tij, duhet të ketë më shumë vëmendje nga ana e qeverisë. Të gjitha investimet në Vlorë, sipas Gjikës, janë realizuar nga të ardhurat e vetë bashkisë.                       q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›