E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në KLD për ndërprerjen e mandatit të Spahiut

13/02/2012  Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvillon sot mbledhjen e radhës të thirrur nga Presidenti Topi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të zhvillojë paraditen e sotme mbledhjen e radhës, gjatë së cilës kryetari i këtij këshilli, Presidenti Bamir Topi, do të kërkojë votimin për ndërprerjen e mandatit të zëvendëskryetarit Kreshnik Spahiu, i cili paraqiti dorëheqjen gjatë javës së kaluar. Gjatë kësaj mbledhjeje do të jetë i pranishëm dhe ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, ku burime brenda mazhorancës bëjnë me dije se do ta kundërshtojë votimin e KLD-së për ndërprerje të mandatit të Spahiut. Ky kundërshtim argumentohet me faktin se ndaj zotit Spahiu tashmë ka një hetim parlamentar, i cili do të konkludohet pasditen e sotme nga ana e komisionit të posaçëm, që drejtohet nga ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Komisioni parlamentar i ngritur për të hetuar veprimtarinë e Kreshnik Spahiut si zëvendëskryetar i KLD-së dhe lider i AK-së e përfundon sot raportin e tij. Të njëjtat burime u shprehën se pikërisht për këto arsye ministri Halimi do të kërkojë që mbledhja e sotme të zhvillohet me dyer të hapura në prani të medieve, pasi do të kërkojë debat publik mbi këtë çështje. Menjëherë pas dorëheqjes së tij të premten e kaluar mazhoranca e quajti dorëheqjen e Spahiut nga posti i zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si një mënyrë për pengimin e procedurave të kuvendit për shkarkimin e tij. Sipas kryetarit të komisioni hetimor Enkelejd Alibeaj, komisioni do të bëjë gjithashtu edhe kallëzim penal ndaj Spahiut, për shkak se nuk ka vënë në dispozicion të komisionit materialet e kërkuara. “Në aspektin juridik dorëheqja është një akt që merr vlerën e vet pasi paraqitet pranë organit që ka bërë emërtesën. Në termat ligjore të veprimtarisë së komisionit hetimor nuk ka asnjë lloj efekti juridik. Jam i detyruar në bazë të ligjit, në bazë të nenit 284 të Kodit të Procedurës Penale, të paraqesë kallëzim penal për zyrtarin shtetëror Kreshnik Spahiu, nënkryetar i KLD-së, për shkak se ka shpërdoruar detyrën duke mos sjellë pranë komisionit hetimor shkresat që i janë kërkuar, duke mos respektuar urdhërimin ligjor të nenit 17 të ligjit të komisioneve hetimore”, - tha Alibeaj 30 minuta pas dorëheqjes së Spahiut.

Shën Valentini

Komisioni vendosi që mbledhjen e fundit të tij do ta zhvillojë sot më 13 shkurt në orën 17:00, ku do të miratojë edhe raportin përfundimtar në lidhje me veprimtarinë e Kreshnik Spahiut si nënkryetar i KLD-së. Për kreun e hetimeve parlamentare raporti do të jetë dhurata për Spahiun për ditën e të dashuruarve. “Më 13 kemi parashikuar mbledhjen e fundit për miratimin e raportit. Një ditë para ditës së Shën Valentinit do të miratojmë raportin përfundimtar të komisionit, në bazë të të cilit do të bëjmë edhe analizën tonë përkatëse se çfarë kemi arritur në veprimtarinë e këtij komisioni”, – tha Enkelejd Alibeaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›