E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas shkarkimit të Braçes, Dokle mbledh asamblenë në Skrapar

13/02/2012  SKRAPAR - Ka zhvilluar mbledhjen e parë si i deleguar i rrethit të Beratit, por në Skrapar, anëtari i kryesisë Namik Dokle. Ndryshe nga socialistët e Beratit, të cilët reaguan në lidhje me pjesëmarrjen e Namik Dokles si i dërguari i kryesisë së PS-së për asamblenë e degës në Berat, socialistët e Skraparit e kanë mirëpritur atë në asamblenë e degës së tyre. Namik Dokle dhe deputeti i majtë i këtij qarku Fidel Ylli kanë mbërritur sot në qytetin e Çorovodës për të marrë pjesë në punimet e asamblesë së degës së këtij rrethi. Dokle ka paraqitur platformën e Partisë Socialiste për fazën përgatitore të punës për procesin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm. Në këtë takim mësohet se kanë marrë pjesë drejtues të strukturave të kësaj partie, të zgjedhur vendorë të këtij rrethi nga Partia Socialiste si dhe anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në këtë rreth. Në cilësinë e të deleguarit të Partisë Socialiste, Dokle mësohet se u ka rekomanduar drejtuesve të strukturave për të nisur menjëherë nga puna për hartimin e procedurave mbi fazën përgatitore të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, riorganizimin e të gjithave strukturave pranë kësaj dege. Me prezantimin e platformës në këtë mbledhje të parë të asamblesë synohet një bashkëpunim i ngushtë i të gjitha strukturave vendore për të arritur rezultatet e pritshme që Partia Socialiste synon në këtë zonë, që njihet si një nga bastionit e të majtëve.

Mbështetje për organizimin e punës ka premtuar dhe deputeti i majtë në këtë qark, pjesëmarrës në këtë takim, Fidel Ylli. Diskutimet mbi zëvendësimin e Erion Braçes nga strukturat drejtuese të PS-së të rrethit të Beratit me Namik Doklen kanë shkaktuar prej ditësh reagime pro dhe kundër ndër socialistët e Beratit, gjë që nuk është reflektuar në zhvillimin e asamblesë së Skraparit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›