E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate te myslimanët, shkarkohet myftiu i Shkodrës

Kavajë Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit diskuton për transparencën, pronat dhe statutin

Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman Shqiptar shkarkoi dje nga detyra myftiun e Shkodrës, Ndriçim Sulejmani. Shkarkimi u bë pas një debati që myftiu ka pasur me krerët e KMSH-së, në lidhje me transparencën e pronave dhe disa ndryshime statusore të propozuara në këtë mbledhje. Pas këtyre debateve gjendja është tensionuar dhe myftiu ka dalë nga mbledhja, ndërkohë që shkarkimi i tij është bërë pa praninë e tij.

Kjo ngjarje ka krijuar një precedent problematik, pasi pritet që Sulejmani të mos e njohë shkarkimin. Kjo do të thotë, krijim i një institucioni të pavarur në Shkodër. Ky precedent pritet të sjellë një situatë të vështirë për KMSH-në, pasi do t’i hapë rrugën krijimit të institucioneve paralele, të cilat sfidojnë qendrën, duke e lënë atë në izolim total. Sipas besimtarëve, kjo do të jetë edhe më problematike për vetë KMSH-në, në një kohë kur sipas përfaqësuesve të këtij komuniteti, ajo nuk ka kurrfarë autoriteti mbi asnjë pjesë të myslimanëve praktikantë, në thuajse të gjitha xhamitë në vend.

Shkarkimi i myftiut të Shkodrës ka qenë i pritur prej kohësh. Pengesat që kjo Myftini ka nxjerrë në mënyrë të rregullt ndaj shitjeve abuzive të vakëfit prej KMSH-së në këtë qytet, kanë qenë arsyet kryesore të konfliktit të Myftinisë lokale me qendrën. Sipas përfaqësuesve të komunitetit, për këtë, një ndër strategjitë e përdorura nga KMSH-ja për eliminimin e të gjithë myftinjve “rebelë” ka qenë ajo e krijimit të një posti të veçantë, atë të zëvendësmyftiut, gjë të cilën, qendra e KMSH-së e përdor ndaj shumë myftinjive “të pabindura” ndaj urdhëresave të saj.

Kjo nuk ka qenë e parashikuar në statut, dhe aplikimi i saj është në kundërshtim me strukturat administrative. Myftinia e Shkodrës nuk e ka pranuar një gjë të tillë dhe kjo i ka acaruar edhe më shumë marrëdhëniet me kryesinë e KMSH-së. Mbledhja e djeshme është bërë pikërisht për të kryer ndryshimet statusore, që parashikojnë ligjërimin e një posti të ri administrativ, në strukturën e KMSH-së, postin e zëvendësmyftiut. Myftinia e Shkodrës ka kërkuar që këto ndryshime të bëhen duke kufizuar pushtetin e kryetarit në zgjedhjen e zëvendësmyftinjive. Ajo ka kërkuar që propozimi për ta të bëhej nga drejtuesit lokalë të Myftinisë, ndërkohë që zgjedhja të bëhej nga kryesia e KMSH-së.

Ky do të ishte edhe varianti më i mirë për të krijuar konsensus midis qendrës dhe periferisë. Por kryetari Muça nuk e ka pranuar, duke vendosur emërimin e zëvendësmyftinjive nga vetë ai.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›