Ruzhdia mbërrin në gjykatë, nën akuzë pesë komisionerë
Prokuroria e Fierit ka hapur kutitë zgjedhore të Ruzhdies, dhe në prani të një oficeri të policisë gjyqësore, janë marrë të dhënat e dobishme për të ngritur akuzat ndaj pesë komisionerëve të kësaj qendre. Mesditën e djeshme dosja ka mbërritur në sekretarinë e gjykatës dhe mbi komisionerët Bujar Kararaj, Pëllumb Myrtaj, Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj rëndojnë akuzat për “shpërdorim detyre”, “falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve”, “votim më shumë se një herë”, “shkelje e fshehtësisë së votimit”, të gjitha në bashkëpunim. Burime zyrtare nga Gjykata e Fierit thanë për gazetën “Shqip” se rreth orës 12:00 të së premtes, dosja hetimore për parregullsitë e zgjedhjeve në qendrën e votimit të Ruzhdies është dorëzuar në gjykatë. Materiali voluminoz, me dhjetëra fashikuj, është depozituar në sekretarinë e kancelarisë së gjykatës, dhe pritet që të martën e javës së ardhshme të hidhet shorti për të caktuar gjyqtarin që do ta gjykojë këtë dosje politike.
Pesë komisionerët e qendrës së votimit 30-52 tashmë ndodhen nën gjykim. Prokurori i çështjes, çlirim Sino, ka marrë të gjitha provat e mundshme ndaj komisionerëve, madje ka mundur të hapë edhe disa prej kutive problematike të Ruzhdies, duke marrë prej andej procesverbale dhe fletë-votimi të regjistruara në kundërshtim me ligjin. Mësohet se gjatë hetimeve disamujore, prokurori Sino ka siguruar edhe prova të pakundërshtueshme që vërtetojnë abuzimin e pesë komisionerëve të Ruzhdies, kjo e faktuar edhe në bazë të aktit të ekspertimit grafik. Nga të dhënat rezulton se anëtari i këtij komisioni, Shezai Kararaj, ka falsifikuar listën e zgjedhësve, duke nënshkruar për ta dhe shënuar numrat e serive të dokumenteve të identifikimit, numra që kanë rezultuar të rremë pas hetimeve të kryera. Kararaj i përket Partisë Demokratike si forcë politike, ndërkohë që anëtari tjetër i komisionit, i Partisë Republikane, Veledin Myftaraj, është vërtetuar se ka votuar për bashkëshorten Dallëndyshe dhe për disa të afërt dhe fqinj.
Pas hapjes nga grupi i hetimit të kutisë së Ruzhdies, mësohet se janë gjetur 525 vota nga 592 zgjedhës të regjistruar në fshat. Sipas organit të akuzës është vërtetuar se komisionerët e Ruzhdies kanë falsifikuar firmat dhe numrat e dokumenteve të identifikimit, duke hedhur në kuti më shumë se 80 vota të banorëve të fshatit që faktikisht ndodhen emigrantë. Pas marrjes së masës së sigurisë disa javë më parë ndaj pesë komisionerëve, që janë të gjithë anëtarë të PD-së dhe PR-së, u është komunikuar jo vetëm përfshirja nën hetim, por edhe të mos largohen nga territori i Shqipërisë. Ata duhet të paraqiten të hënën e tretë të çdo muaji pranë Prokurorisë së Fierit.
#