Maliqi e Koka: Vota kundër, solidaritet me çamët
Deputetët e mazhorancës, të cilët votuan në Parlament kundër vendimit të shumicës për ngritjen e dy varrezave greke në territorin shqiptar, shpjeguan dje për gazetën “Shqip” arsyet e këtij qëndrimi. Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka, deklaruan se me votën e tyre kundër këtij vendimi u solidarizuan dhe mbrojtën të drejtat e komunitetit çam. Sipas deputetit të PD-së, në Berat, Lefter Maliqi, vota e tij abstenim për ngritjen e këtyre varrezave erdhi në respekt të komunitetit çam dhe të drejtave të tyre të mohuara nga pala greke. “Votova abstenim për të respektuar komunitetin çam. Kjo sepse edhe Greqia duhet të respektojë të drejtat e të rënëve shqiptarë në territorin e tyre”, shpjegon Maliqi votën e tij. Sipas tij, do të kishte qenë e udhës që Greqia t’i mblidhte eshtrat e ushtarëve të saj të rënë në Shqipëri dhe t’i çonte ato në Greqi, pa pasur pretendime për ndërtimin e dy varrezave greke në Shqipëri. I të njëjtit qëndrim shprehet edhe deputeti i LSI-së, i zgjedhur në Durrës, Lefter Koka. Sipas tij, vota kundër ndërtimit të këtyre varrezave në Këlcyrë dhe në Gjirokastër erdhi për arsye se qëndrimet e shtetit grek për të rënët shqiptarë në Greqi kanë qenë neglizhuese dhe jashtë marrëdhënieve të mira reciproke. “Unë e konceptoj respektin në mënyrë reciproke. Komuniteti çam ka qenë i nënshtruar dhe nuk ka pasur asnjë të drejtë nga pala greke”, thekson deputeti Koka. Ai shpjegon se me këtë votë kundër u solidarizua me komunitetin çam dhe me përfaqësuesit e tij në Parlament. Të dy përfaqësuesit e partive të mazhorancës deklaruan se PD dhe LSI nuk kishin marrë vendim në grup për votën pro kësaj nisme dhe deputetët e dy grupeve parlamentare ishin ndierë të lirë të votonin për këtë çështje sipas preferencës së tyre. Tri ditë më parë në Kuvend, votën e tyre kundër ngritjes së varrezave e argumentuan qartë deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, e cila mbron edhe të drejtat e komunitetit çam në vend. Kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi, deklaroi se shteti shqiptar duhet t’i kërkojë fillimisht palës greke të njohë gjenocidin e bërë nga grekët kundër komunitetit çam. Kundër nismës për ngritjen e varrezave votuan edhe deputetët demokratë Bedri Hoxha e Ardian Kollozi. Marrëveshja për gjetjen dhe rivarrimin e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në territoret shqiptare gjatë luftës italo-greke, pjesë e Luftës së Dytë Botërore, u nënshkrua më 19 nëntor të vitit 2008 në Tiranë, si një kërkesë e vazhdueshme e qeverisë greke. Për hartimin e saj funksionoi një komision i përbashkët i ministrive të jashtme të dy vendeve. Miratimi i kësaj marrëveshjeje nga ana e Parlamentit tonë tri ditë më parë, përkoi edhe me festën kombëtare të Greqisë.
#