Paga fiktive, hetime në Albpetrol
Në kompaninë “Albpetrol” paguhen persona që nuk shkojnë në punë, madje edhe “persona” që nuk ekzistojnë por kanë vetëm emrat në bordero. Skandali është zbuluar nga policia dhe Prokuroria e Fierit, që kanë vënë nën akuzë pesë nëpunës të kompanisë, të cilët akuzohen se për vite me radhë jo vetëm që kanë paguar persona që nuk paraqiten në punë, por dyshohet se kanë shtuar në bordero edhe emra kafshësh shtëpiake që mbajnë mbiemrat e disa drejtuesve të kompanisë. Burime nga grupi hetimor thanë për shqip se në bordero janë gjetur emra si Lara C., dhe Xhejni V., që dyshohet të jenë përkatësisht emrat e një lope dhe një maceje të dy personave me poste drejtuese.
Hetimi për pesë ekonomistët dhe normistët e kompanisë “Albpetrol” ka nisur tre muaj më parë, ndërkohë që është finalizuar ditën e premte me përfundimin e dosjes hetimore nga ana e seksionit të luftës kundër krimit ekonomiko-financiar pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Bëhet fjalë për ekonomistët dhe normistët e Qendrës së Prodhimit të Naftës Sheqishte. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkeljet e kryera nga ekonomistët dhe normistët. Më pas çështja është marrë nën hetim nga policia që arriti të verifikonte shumë abuzime të kryera nga normistët dhe ekonomistët.
Policia e Fierit njoftoi dje se ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve Zenejbi Musa 56 vjeçe, Lefteri Golloshi 58 vjeçe, Arta çaçi 49 vjeçe, Bledar Agalliu 29 vjeç dhe Luljeta Musaraj 56 vjeçe. Të pesë ekonomistët dhe normistët janë banorë të qytetit të Fierit dhe kanë mbi dy vjet që punojnë në Qendrën e Prodhimit të Naftës Sheqishte. Ata nuk kanë qenë të dënuar asnjëherë më parë, ndërsa dy prej tyre janë emëruar në postin që mbajnë pas zgjedhjeve të vitit 2005 kur fitoi PD-ja.
Musa dhe Golloshi mësohet se janë me profesionin ekonomistë, ndërkohë që Musaraj, Agalliu dhe çaçi janë normistë, punonjës që plotësojnë prezencat e punonjësve të tjerë në punë.
Burimet policore pohojnë se ekonomistët dhe normistët nën hetim kanë paguar për një periudhë të gjatë kohe më shumë se 25 persona. Madje, në borderotë e punonjësve ekzistojnë edhe emra lopësh apo dhe kafshësh të tjera shtëpiake të personave me influencë, të cilët favorizoheshin me paga fiktive.
Por, jo vetëm Qendra e Prodhimit të Naftës Sheqishte është e prekur nga fenomeni i pagesës së parregullt. Burimet policore tregojnë se ka me dhjetëra raste të tjera në “Albpetrol” ku aplikohen format e sipërcituara të pagesës. Madje, ka persona militantë të PD-së dhe LSI-së, të cilët janë të pajisur vetëm me kartën e bankomatit të pagës dhe nuk e frekuentojnë punën për asnjë moment. Hetimet për rastet e tjera po vazhdojnë, ndërkohë që kompania “Albpetrol” është në prag të privatizimit, që mendohet të nisë brenda pak javësh.
Mësohet se asnjë prej personave nën hetim nuk ka pranuar akuzat e ngritura. Mësohet se të pyetur nga grupi i hetimit, disa prej tyre kanë deklaruar se kanë zbatuar vetëm urdhrat e eprorëve, për të paguar emrat që ata sugjeronin. Duket se kjo deklaratë do të rrisë rrezen e personave nën hetim.
Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i kompanisë “Albpetrol”, Ferdinand Murati, tha: “Duhet të jenë organet përkatëse ato që të verifikojnë rastin në fjalë, apo të tjera të dyshuara. Ne jemi për një qeverisje me duar të pastra. Le të nisë nga ndërmarrja që unë drejtoj zbatimi i kësaj nisme të qeverisë”.