E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate të reja për ligjin për ish-pjestarët e UÇK-së

Shkup - Ligji për përkujdesje institucionale për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës të UÇK-së ka nxitur debate midis BDI-së dhe PDSH-së. Derisa nënkryetari i BDI-së, Rafiz Haliti ka deklaruar për Alsat se gjatë këtij viti do të zgjidhjet çështja e kësaj kategorie të qytetarëve shqiptarë, PDSH ka drejtuar kundërpërgjigje duke shprehur kritika ndaj partisë shqiptare në pushtet.

“Me marrëveshjen politike që ka BDI-ja me partnerët e koalicionit është statusi i ish luftëtarëve i cili gjatë vitit 2009 edhe duhet të zgjidhet”, ka theksuar për “Alsat” , nënkryetari i BDI-së, Rafiz Haliti, duke mos saktësuar se çfarë përmban marrëveshja dhe si do të zgjidhet statusi i UÇK-së.

Zëdhënësi i PDSH-së, Adriatik Imeri ka deklaruar se BDI ka kontradikta të brendshme dhe po tallet me fatin e kategorisë më të ndjeshme të qytetarëve në Maqedoni.

“Deklaratat e këtilla si të Rafiz Alitit qysh moti i ka dalur boja dhe ato nuk janë gjë tjetër veçse gjënjeshtra, mashtrime dhe manipulime. I apelojmë BDI-së që të mos merren me gënjeshtra dhe të mos tallen me fatin e këtyre njerëzve. E keqja më e madhe është se jo vetëm se ju lejojnë parterit të tyre maqedonas të tallen me shqiptarët, por edhe këta vet përbuzin, manipulojnë dhe gënjejnë qytetarët shqiptarë”, ka shtuar Adriatik Imeri.

Sipas tij, është absurde se si funskionarë të BDI-së po tallen me fatin e një kategorie tejet të ndjeshme njerëzish. Në njërën anë ministri i Punës dhe Politikës Sociale i po të njëjtës parti deklaron se për këtë vit nuk janë paraparë mjete për këtë çështje, ndërsa në anën tjetër Rafiz Aliti deklaron se ka marrëveshje për tu zgjedhur kjo çështje.

Nga ana tjetër, përfaqësues të lartë të partisë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE jozyrtarisht për “Shqip media” hodhën poshtë arritjen e ndonjë marrëveshje të re, që përcakton data të sakta për zgjidhjen e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së.

Në këtë parti theksojnë se gjithçka është nënvizuar në marrëveshjen e koalicionit midis VMRO-DPMNE dhe BDI, ku theksohet se kjo çështje do të zgjidhet në përputhje me ligjet ekzistuese të sferës së përkujdesjes sociale.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në promovimin e prioriteteve të saj për vitin 2009 nuk ka saktësuar zgjidhjen e statusit të ish-pjestarëve të UÇK-së, duke shtuar vetë ministri Xhelal Bajrami se kjo çështje nuk lidhet me afate kohore.

Në promovimin e prioriteteve për këtë vit, ministri i Punës dhe Politikës Sociale Xhelal Bajrami, askund nuk përmendi zgjidhjen e statusit të ish pjesëtarëve të UÇK-së, me arsyetimin se zgjidhja e statusit të tyre nuk lidhet me afate kohore. Që nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni akoma nuk është gjetur zgjidhje për fatin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›