E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i shoqatës së emigrantëve në gjyq për mashtrim me vizat



TIRANE - Shkon për gjykim dosja në ngarkim të tre personave të akuzuar se në “hijen” e një shoqate emigrantësh kishin mashtruar duke premtuar viza për jashtë shtetit në këmbim të mijëra eurove. Dosja me të pandehur Hider Bucin, Ali Vrapin dhe Filip Skanën është depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës. Ata akuzohen për veprën penale të “mashtrimit më shumë se një herë në bashkëpunim”. Sipas prokurorisë, duke përdorur ermin e shoqatës të pandehurit u premtonin personave të ndryshëm viza punësimi në Australi dhe Kanada në këmbim të shifrave nga 1000 deri në 3500 euro. Për t’u dukur të besueshëm ata u kërkonin disa dokumente. Ndërsa më pas, pasi gjenin disa herë pretekste për shtyrjen e datës së marrjes së vizës, zhdukeshin pa gjurmë. Mësohet se hetimet për këtë dosje kanë nisur në prill të vitit 2009, pas disa kallëzimesh penale në Prokurorinë e Tiranës dhe Shkodrës. Në këto kallëzime pohohej se të pandehurit kishin përvetësuar shuma nga 1000 deri në 3500 euro në këmbim të vizave për jashtë shtetit, që kurrë nuk kishin mbërritur në dorën e qytetarëve. Sipas organit të akuzës janë mbi 25 persona që kanë rënë në “grackën” e mashtrimit. Në Gjykatën e Tiranës kjo dosje do të shqyrtohet nga gjyqtari Arjan Aliaj. Gjithë “skema” e mashtrimit kishte në bazë një shoqatë emigrantësh të quajtur “Unioni Kombëtar i Emigrantëve Shqiptarë”, e hapur nga i pandehuri Hider Buci. Sipas prokurorisë fillimisht ka qenë vetë ai mashtruesi ndërsa më vonë janë “rekrutuar” edhe të bashkëpandehurit e tij, Ali Vrapi, sekretar i shoqatës dhe Filip Skana, anëtar i saj. Dyshohet se Vrapi dhe Skana iu merrnin para personave të ndryshëm duke u dalë “garant” se do t’u siguronte viza përmes Hider Bucit. “Nisur nga fakti se kjo shoqatë ishte e regjistruar me vendim gjykate, qytetarë të ndryshëm që kishin nevojë kanë besuar dhe kanë derdhur paratë tek i pandehuri Hider Buci”, thuhej në kërkesën për gjykim. Sipas akuzës, për t’u bërë i besueshëm i pandehuri, përveçse u kërkonte dokumente shoqëruese si pasaportë apo vërtetime shëndetësore, u jepte dhe nga një kartë duke u thënë se ishin bërë anëtarë të shoqatës së tij. “Kur vinte afati i caktuar dhe personat e dëmtuar shkonin për të kërkuar vizat ai u nxirrte të tjera pretendime duke u shtyrë afatin. Pasi mashtron me dhjetëra herë duke i caktuar data të ndryshme në fund mbyll telefonin dhe zhduket”, citonte prokuroria. Sipas organit të akuzës, episodet për të cilat akuzohen të pandehurit janë konsumuar në periudhën nga vera e vitit 2008 deri në muajt e pranverës së vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›