E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debatet në PS, Nano takon Ruçin

18/03/2005  Deputetët e rrezikuar kërkojnë vendimin e forumeve për kandidatët

Mazhoranca socialiste tashmë është përfshirë nga debatet të ashpra, lidhur me përgatitjen e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere. Madje, mësohet se dje, mbasdite, kreu i PS-së, Fatos Nano dhe numri dy i kësaj partie, Gramoz Ruçi, kanë zhvilluar një takim kokë më kokë, për të qartësuar situatën e krijuar brenda partisë. Burimet theksojnë se biseda ka qenë rreth debateve e krijuara në parti, siç është përplasja e kandidaturave të reja me deputetët aktualë, ndryshimin e zonave të shumë deputetëve, si dhe hartimin e një liste të kandidatëve për deputetë, pa marrë më parë një vendim politik të forumeve të larta drejtuese të kësaj partie.

Përplasja

Burime në selinë socialiste thanë për "Metropol" se brenda kësaj partie ka filluar gara mes deputetëve aktualë dhe emrave të rinj, që priten të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë. Ndërkohë, të rinjtë, të cilët kërkojnë të forcojnë pozicionet e tyre në këtë parti dhe të vjetrit që kanë mbështetje të bazës socilaiste, duket se do të jetë konflikti i brendshëm i PS-së për ditët në vazhim. Mbështetja që kanë krijuar gjatë këtyre viteve deputetët socialistë me njëri-tjetrin si dhe divergjencat e ndryshimet që ekzistojnë brenda grupit socialist, po shfaqen në mbëshetjet për kandidatë të kësaj partie. Më të vështirë këtë konflikt duket se e kanë kandidatët e rinj, të cilët priten të zëvendësojnë deputetët aktualë, në një kohë që këta të fundit po përdorin të gjithë "arsenalin" e tyre politik për të mos lejuar zëvendësimin.

Deklaratat

Për ministrin e Mjedistit, Et'hem Ruka, i cili përflitet se nuk do të jetë më kandidat në njësinë numër 7 në kryeqytet, nuk ka rëndësi se në çfarë zone do të kandidojë. Sipas tij "kudo që të caktohem, unë do të jem fitues". Nxjerrjen e emrave para një vendimi të qartë politik nga strukturat e partisë është komentuar dhe prej ish-ministres Arta Dade. "Nuk mendoj që këto gjëra mund t'i lihen arbitraritetit, por sigurisht të gjithë jemi të prirur për të zbatuar të gjitha ato mendime, të cilat i kemi marrë të gjithë së bashku. Pra, do të votohemi dhe do të kalojmë të gjithë nëpër strukturat e partisë", tha Dade. Ndërkohë që edhe për deputetin Niko Faber, propozimet si për emrat e rinj, ashtu dhe për emrat aktualë duhet të kalojnë në fillim në forumet e partisë dhe më pas do të jetë Kryesia, ajo që do të japë formën përfundimtare të listës. Disi më kritik në deklaratën e tij ka qenë deputeti Nazmi Bilani. Sipas tij, "vendimet për rikandidim apo kandidim i merr Komiteti i Përgjithshëm Drejtues, të paktën ai i vë vulën përfundimtare. Sigurisht që kryetari i partisë ka peshën e vet në këtë drejtim dhe, natyrisht që ka përgjegjësitë e veta para partisë. Por, unë gjykoj se kjo do të bëhet në bashkëpunim me mënyrën që ne të themi se shumë mendje baraz me një mendje dhe një mendje është hiç asgjë". Ndërsa Hasan Hoxha tha se "jam i qetë dhe pres vendimmarrjen e PS-së, për të cilën jam i bindur se do të gjykoj gjithnjë në përputhje me propozimet e bazës dhe me rezultatet e secilit deputet dhe në mbështetjen që ka arritur të krijoj në bazë secili prej deputetëve të PS-së".

Musa Ulqini

Pas 1 prillit, PS voton kandidatët për deputetë

Kryetari i Partisë Socialiste në Tiranë, Musa Ulqini, ka konfirmuar se emrat e bëra publike nga kreu i partisë janë në sinkron të plotë më forumet drejtuese në kryeqytet. Uqini ka dhënë mbështetjen e tij për emrat e rinj, që i janë afruar kësaj partie, duke u shprehur se "kandidaturat, të cilat u panë në krahun e Kryeministrit dhe kreut të PS-së, Ditën e Verës janë kandidatura në sinkron me forumet e kësaj partie. Ne besojmë se janë kadidatura fituese". Për rrethin e Tiranës, socialistët pas dy ditëve do të fillojnë të zbatojnë parimin "një anëtar, një votë", për të zgjedhur drejtuesit e Komiteteve Zonale Elektorale. Sipas Uliqnit, "më datën 20 mars fillon zbatimi i procesit "një anëtar, një votë" në zonën elektorale me numër 31 dhe përfundon më 31 mars, në zonalen elektorale me numër 42. Për 12 ditë, 7 000 anëtarë të PS-së do të votojnë për të përzgjedhur kryetarët e KZE-ve". Pas kësaj procedure, KZE-të pritet të zhvillojnë përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në bazë të parimit "një anëtar, një votë". Ulqini thekson se, "forumet e partisë në degën e Tiranës kanë tre muaj që diskutojmë kandidaturat për deputetë dhe në zonat në të cilat nuk kemi kandidatë, ose ku kemi humbur kandidatët, mund t'i përzgjedhim dhe t'i shpallim emrat e rinj parakohe".

Luan Memushi

Emrat do të dalin vetëm nga forumet e partisë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Luan Memushi, u është përgjigjur zërave mediatikë, të cilat shprehen se ai nuk do të jetë pjesë e listës për kandidatë për deputetë të Partisë Socialiste. Sipas Memushit, "të gjitha janë hamendje dhe opinione, që shfaqen nga individë deri në diversione të mendimit, sepse nuk është bërë asnjë diskutim i tillë në forumet e partisë". Ministri i Arsimit, emri i të cilit kohët e fundit është sulmuar nga kreu i Ekzekutivit shqiptar, deklaron se, "nëse PS-ja do të marrë vendim që unë do të kandidoj, sigurisht që do të kandidoj dhe do të fitoj, nuk mund të shprehem unë para strukturave të partisë". Gjithashtu, Memushi shprehet se "asnjëri nuk mund të deklarohet pa vendim të strukturave, sepse vendime të tilla janë politike". Ndërkohë, lidhur me kandidaturat e reja të bërë publike nga vetë Kryeministri Nano dhe të tjerat, që përfliten, sipas Memushit, "janë emra që efektivishit do të mbulojnë zona, të cilat tashmë janë të zbuluara. Nuk kanë zhvendosur ndonjë nga kandidatët apo nga deputetët aktualë". Memushi pritet të jetë një nga kanditatët e qarkut të Beratit, por, siç shprehet dhe ai vetë, do të jetë në pritje të vendimit të forumeve të partisë.

OSBE, për listat të përdohet regjistrimi i këtij viti

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ODHIR kanë deklaruar dje se lista e votuesve duhet të bazohet në regjistrimin e shtetasve dhe nuk duhet të merren parasysh listat e zgjedhjeve të vitit 2003. Me anë të një deklarate të përbashkët OSBE dhe ODHIR i bëjnë thirrje MPVD të ngrejë menjëherë një mekanizëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civilem për të eliminuar të gjitha dublimet nga listat e zgjedhësvem që po hartohen aktualisht nga njësitë e qeverisjes vendore. Në një deklaratë për mediat thuhet se dje Prezenca e OSBE dhe OIHR "sollën në kujtesë se përgatitja e listave të zgjedhësve duhet të bazohet në rezultatet e procesit të regjistrimit të zhvilluar në bazë të ligjit për verifikimin, indentifikimin dhe regjistrimin e shtetasve të miratuar në tetor të vitit 2004". Në këtë mënyrë është hedhur poshtë qëndrimi se listat duhet të bazohen në regjistrimin e përdorur një vit më parë. Ushtruesi i detyrës së Prezencës së OSBE-së, Aleks Finnen, u shpreh se ky organizëm është i gatshëm të ofrojë mbështetjen e gjerë në ngritjen dhe funksionimin e mekanizmit, mbështetje, e cila, sipas tij, do të ofrohej në kuadër të projektit të financuar nga Komisioni Evropian. "Ky mekanizëm do të duhej të siguronte transparencë maksimale dhe do të ishte i hapur për të gjithë aktorët kryesorë në këtë proces, duke përfshirë, veçanërisht, përfaqësuesit e opozitës", tha Finnen. Nga ana tjetër OSBE dhe ODHIR përshëndesin ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për të monitoruar përgatitjen e procesit zgjedhor dhe nxisin të gjitha institucionet shqiptare të tregojnë transparencë dhe të bashkëpunojnë me këtë komision, për të kontrolluar imtësisht dublimet në listat e zgjedhësve nga MPVD. Reagimi i OSBE-ODHIR vjen pas qëndrimit të opozitës, e cila e konsideroi dërgimin e listës elektronike votuesve nga KQZ në MPVD-së, si një përpjekje për të manipuluar procesin zgjedhor. Sipas opozitës, lista elektoronike e vitit 2003 ka qenë e manipuluar dhe mund të përdorej për të manipuluar edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›