E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pronat kthehen brenda 120 ditëve, vendimet regjistrohen në Hipotekë

18/03/2005  Komiteti Shtetëror vendos rregulloren për rastet kur ka një vendim të mëparshëm, por të parealizuar dhe për masat disiplinore, kur ka shkelje

Komiteti i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave, u ka dorëzuar komisioneve vendore formularët tip, dhe listën e dokumenteve që duhet të paraqesin ish-pronarët për të kërkuar të drejtën e tyre. Sipas prononcimeve të dhëna, menjëherë pas miratimit të Metodikës së çmimit të pronave në Kuvendin e Shqipërisë, ish-pronarët do të kenë të drejtën që të marrin formularët në komisionet vendore dhe më pas të procedojnë me pajisjen me dokumente. Për të përshpejtuar procedurat, komiteti i pronave ka theksuar se institucionet, që zotërojnë dokumentet përkatëse duhet t'i japin përgjigje të interesuarve brenda një muaji, ashtu si dhe e parashikon ligji për informimin. Megjithatë, të drejtën për të kërkuar kthimin dhe kompensimin e pronave e kanë të gjithë personat juridikë e fizikë, apo trashëgimtarët e tyre, që kërkojnë njohjen e të drejtës së pronësisë në rast se i është hequr sipas akteve ligjore, nënligjore, vendimeve penale të gjykatave, ose të marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti që nga data 29.11.1944. Subjekti i shpronësuar mund të përfaqësohet nga përfaqësuesi i tij me prokurë të posaçme.

Procedura

Menjëherë pas paraqitjes së të interesuarit për të marrë formularin, komisioni vendor i kthimit të pronave, përcakton një nga anëtarët për të qenë relatori për dosjen përkatëse. Relatori vendos të dhënat e para në dosjen përkatëse, si dhe vendos një datë takimi, për të vijuar me procedurat e tjera. Është theksuar se çdo kërkesë duhet të formulohet me shkrim dhe duhet të jetë e nënshkruar. E drejta për të kërkuar formën e kompensimit, ish-pronarëve ose trashëgimtarëve të tyre, u lind menjëherë pasi komisioni vendor ka marrë vendimin për kompensimin. Afati maksimal për të kërkuar formën e kompensimit është deri në 30 ditë pas marrjes së vendimit. Ndërsa në rast se subjekti i shpronësuar apo trashëgimtarët e tij kanë mendime të ndryshme për formën e kompensimit, Komisioni Vendor në mënyrë të arsyetuar, vendos për formën e kompensimit. Në rastet përkatëse, kërkesës për kompensim i bashkëlidhet deklarata me shkrim. Kërkesa e shoqëruar nga dokumentacioni përkatës shqyrtohet nëse është e rregullt nga anëtari përgjegjës dhe personat e tjerë të caktuar nga kryetari, të cilët analizojnë dokumentacionin nga ana ligjore dhe teknike në prani të subjektit të shpronësuar. Sipas rregullores, do të jenë anëtarët e komisionit që do të verifikojnë në terren dhe pranë institucioneve përkatëse gjendjen e tokës së kërkuar për kompensim, ose që do të kompensohet. Kjo shmang abuzimet, që mund të bëjnë ish-pronarët, duke manipuluar dhe dokumentet.

Afatet

Komiteti i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka vendosur që për afatet e paraqitjes së dokumenteve dhe për marrjen e vendimit nga komisionet vendore t'i referohet ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Kështu, me plotësimin e dosjes nga subjektet e shpronësuara, komisionet vendore kanë detyrim që të marrin një vendim përfundimtar brenda 30 ditëve. Në rast se subjektet do të kenë ankesa, vendimi mund të shtyhet dhe 45 ditë të tjera. Gjithashtu, është parashikuar se kur ish-pronarët kanë pakënaqësi në vendimin e marrë, apo dhe në rastet kur vendimi nuk merret brenda afateve nga komisionet vendore, dosja i kalon komitetit shtetëror të kthimit dhe kompensimit të pronave. Ky i fundit, ka detyrimin që të marrë një vendim përfundimtar brenda 45 ditëve nga paraqitja e ankesës. Një shqetësim për komitetin e pronave është afrimi i përfundimit të afatit që kanë ish-pronarët për të kërkuar pronën e tyre. Ligji parashikon se afati më i fundit është muaji shtator. Duke parë këtë situatë, komiteti do të nisë një kërkesë për shtyrjen e afatit, që i jep të drejtën pronarëve për të kërkuar kompensimin.

Vendimi

Anëtari përgjegjës për trajtimin e kërkesës përgatit projektvendimin e asryetuar, pjesë integrale e të cilit është edhe planvendosja, fragment i hartës së punës së KVKKP, ku me shenjat konvencionale përkatëse tregohet prona e njohur dhe prona e kthyer fizikisht subjektit të shpronësuar. Në ditën e caktuar për të trajtuar kërkesën përkatëse, anëtari përgjegjës relaton dosjen para KVKKP. Anëtarët e Komitetit që kanë votuar kundër janë të detyruar të shprehin të arsyetuar qëndrimin e tyre si mendim të pakicës. Të gjitha faqet e vendimit, planvendosjes dhe procesverbalit të dorëzimit të pronës vulosen me vulë lidhëse. Vendimet e KVKKP afishohen në stendat e varura në ambientet publike të godinës së KVKKP. KVKKP njofton të interesuarit për vendimet e marra nëpërmjet postës zyrtare rekomande. Vendimi i KVKKP merr formë të prerë 30 ditë pas marrjes dijeni të subjektit ose përfaqësuesit të tij. Vendimi i KVKKP i formës të prerë përgatitet në tri kopje origjinale. Një kopje i dorëzohet subjektit të shpronësuar, një kopje i dërgohet Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për regjistrim, dhe një kopje arkivohet në KVKKP. Në kopjen e arkivuar në KVKKP, planvendosja duhet të jetë në kalk dhe në letër. Fotokopje të vendimit të formës së prerë u dërgohet me shkresë përcjellëse institucioneve që kanë lidhje me pronën e kthyer/kompensuar fizikisht. Vendimi i formës së prerë shpallet në Fletoren Zyrtare.

Masat disiplinore

Komiteti i Pronave ka parashikuar masa disiplinore ‘vërejtje me shkrim’ dhe ‘vërejtje me paralajmërim’ për administratën e Komisioneve Vendore. Masat disiplinore merren nga kryetari ndërsa largimi nga puna, për ta, merret nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me propozim të kryetarit të KVKKP. Marrja e masave disiplinore bëhet duke respektuar kërkesat e një procesi të rregullt ligjor, i cili përfshin të drejtën për t’u informuar, për t’u dëgjuar, për t’u mbrojtur dhe për t’u ankuar. Vendimi për masën disiplinore është pjesë e dosjes së personelit. Për këtë pikë është parashikuar një procedurë e rregullt për të paralajmëruar dhe ballafaquar të gjitha argumentet që japin palët mbi një shkelje të konstatuar, apo që pretendohet se është kryer. Mosrespektimi i përsëritur i kohës dhe i orarit të punës; Moskryerja e detyrave, apo mosrespektimi i përsëritur, i afateve të caktuara për kryerjen e detyrave; Sjellja e parregullt, gjatë kohës së punës, me eprorët, kolegët, vartësit dhe publikun; Dëmtimi i pronës shtetërore, përdorimi i saj jashtë paracaktimit zyrtar, krijimi pa shkaqe të pranueshme i mundësisë për dëmtim apo keqpërdorim të pronës shtetërore; Kryerja, brenda apo jashtë kohës së punës, të veprimeve, që cënojnë figurën e nëpunësit të administratës publike apo institucionin; Kryerja e punëve apo veprimtarive, të cilat cënojnë interesat e detyrës zyrtare ose që pengojnë përmbushjen e saj.

Procedurat dhe dokumentet për plotësimin e dosjes

Në bazë të Ligjit “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës” subjektet e shpronësuara duhet të paraqesin pranë Komisioneve dokumentacionin që garanton se kërkuesi është trashëgimtar apo pronar i tokës së kërkuar për kompensim. Për nisjen e procedurës është e nevojshme paraqitja e një kërkese për njohjen e të drejtës së pronës, kthimin apo kompensimin e saj. Kësrkesa duhet të jetë e nënshkruar nga subjekti i shpronësuar, ose përfaqësuesi me prokurë të posaçme. Dokumentet që vërtetojnë pronësinë e subjektit, si dhe pozicionin gjeografik të pronës. Në ketë rast duhet vërtetim pronësie, lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronave; Dokument kadastral, që merret pranë Zyrave të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut, si dhe vendim gjyqësor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë me vulën e gjykatës. Bashkëlidhur me to duhet dhe një dokument që vërteton heqjen ose marrjen e të drejtës së pronësisë së subjektit të shpronësuar nga shteti sipas akteve ligjore, nënligjore, vendimeve penale të gjykatave, ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944. Për të plotësuar dosjen dhe për të pasur konfirmimin e plotë për të marrë kompensimin duhen dhe disa dokumente shtesë, nga Arkiva Hipotekore dhe nga Arkiva e Shtetit Shqiptar. Për këtë të fundit, procedurat ndiqen kur dokumentet hipotekore apo kadastrale janë të depozituar në to. Komiteti ka parashikuar se dokumenti hartografik, plan vendosje e vjetër e pronës, nëse ka, mund të sigurohet nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Arkivi Qendror Teknik dhe arkivat teknikë në rrethe, Instituti i Studimit të Tokave, Arkivi i Shtetit Shqiptar, Drejtoria e Shërbimit Pyjor, arkivi i Kadastrës Pyjore, Bashkia e Rrethit, arkivi hartografik i Urbanistikës dhe Këshilli i Qarkut në Zyrën e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës. Ndërsa harta aktuale, në varësi të vendit të pronës së pretenduar, mund të sigurohet nga zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të gjitha zonat urbane dhe për zonat rurale, ku është bërë regjistrimi. Drejtoria e Shërbimit Pyjor për pyjet dhe kullotat, Këshilli i Qarkut, Zyra e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës për tokat bujqësore të paregjistruara.

Plotësimin dhe zbatimin e vendimit të mëparshëm

Komiteti i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave ka vendosur të miratojë rregulla të reja mbi zbatimin e vendimeve të mëparshme, për kompensimin e ish-pronarëve. Për këto raste është paraqitur një formular i veçantë si dhe janë kërkuar dokumente, që vërtetojnë se kërkuesi është trashëgimtar apo pronar i tokës që kërkohet të kthehet.

Kërkesë formular tip

Çdo dokument të detyrueshëm për t’u sjellë dhe që mungon në dosjen ekzistuese

Akti i trashëgimisë nëse ka ndryshime

Prokurë e posaçme

Dokument identifikimi i subjektit të shpronësuar apo përfaqësuesit me prokurë të posaçme

Mandat Pagesë, për trajtimin e kërkesës

Dokumentet

Kërkesë për njohjen e të drejtës së pronës (formular tip)

Dokumentet që vërtetojnë pronësinë dhe pozicionin gjeografik

Vërtetim pronësie lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

Dokument kadastral (pranë Zyrave të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut )

Vendim gjyqësor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë me vulën e gjykatës.

Dokument që vërteton heqjen ose marrjen e të drejtës së pronësisë

Dokument nga Arkiva Hipotekore pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

Dokument nga Arkiva e Shtetit Shqiptar

Plan vendosje e vjetër e pronës, nëse ka

Harta aktuale, në varësi të vendit të pronës së pretenduar,

Akti i trashëgimisë

Prokurë e posaçme në rastin e përfaqësimit

Dokument identifikimi i subjektit të shpronësuar apo përfaqësuesit me prokurë të posaçme

Mandat pagesë për trajtimin e kërkesës

Nis puna për Metodikën e pronave

Relatorët e Komisionit të Bujqësisë, Maksim Begeja dhe Zydi Pepa, kanë nisur punën për shqyrtimin e Metodikës së vendosjes së çmimeve të tokës në procesin e kthimit dhe të kompensimit. Burimet kanë bërë të ditur se javën e ardhshme në këtë komision do të nisin diskutimet konkrete. Gjithashtu është parashikuar që në fund të muajit mars, kjo Metodikë të kalojë për votim në seancë plenare. Ndërsa në partitë politike kanë nisur diskutimet për draftin në fjalë. Nga ana e tyre, deputetët e Partisë Demokratike kanë zhvilluar një takim të posaçëm me anëtarët e Komitetit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, ku kanë marrë shpjegimet e duhura për formulat e paraqitura për këtë çështje. Përfaqësues të Komitetit Shtetëror kanë theksuar se, vetëm pasi të miratohet "Metodika" në Kuvend do të nisë puna nga komisionet vendore për të marrë në shqyrtim dosjet e para të ish-pronarëve. Metodika është cilësuar elementi kyç, pasi pa formulën e vendosjes së çmimit nuk mund të bëhet një llogari e faturës financiare, apo të masës monetare që do të marrë si kompensim një subjekt i shpronësuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›