E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të rikthehen paratë në llogaritë e firmave në Greqi

18/03/2005  Farudin Arapi pranon se deputeti i PBDNJ-së, Kristo Goxhi, ka transferuar 1 miliard dhrahmi

Zogaj kërkon nisjen e hetimeve nga Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku

Shkrimet e gazetave greke, mbi miliardat e firmave piramidale në Shqipëri, kanë sjellë reagimet për të vënë në lëvizje Prokurorinë Shqiptare. Ndërsa rezultatet e komisionit hetimor parlamentar, nuk kanë sjellë një rezultat për popullsinë shqiptare, që humbi kursimet në firmat rentiere, tashmë kanë nisur akuzat për vjedhjen e miliarda lekëve gjatë viteve 1995-1999. Madje, dhe vetë kreu i administratorëve të firmave piramidale, Farudin Arapi, ka pranuar se është identifikuar një transfertë jashtë Shqipërisë me shumën prej një miliard dhrahmi. Transferta, sipas Arapit, është pranuar dhe nga vetë deputeti i PBDNJ-së, Kristo Goxhi. Sipas Arapit, kjo vlerë është administruar dhe përdorur më pas nga Lefter Cenaj.

Preç Zogaj

Një nga anëtarët e komisionit parlamentar hetimor mbi firmat piramidale, Preç Zogaj, tha dje se paratë e firmave të ndryshme, kryesisht të shoqërisë "Gjallica" janë jashtë Shqipërisë. "Disa shoqëri të huaja greke dhe italiane, kanë ende në llogaritë e tyre mijëra dhe mijëra dollarë të kreditorëve shqiptarë dhe është paradoksi më i madh që as qeveria dhe as komisioni "Arapi" nuk kanë bërë asgjë minimale të suksefshme për riatdhesimin e këtij kapitali, pra akuzat e shtypit grek zbulojnë sërish farsën e jashtëzakonshme, lidhur me të ashtuquajturën transparencë të firmave piramidale, e cila ka qenë më shumë një përpjekje për të shkatërruar e atë që u krijua me paratë e kreditorëve shqiptarë", tha Zogaj. Ndaj, ai i kërkoi prokurorit dhe institucioneve të tjerë të reagojnë menjëherë institucionalisht ndaj këtyre njoftimeve dhe botimeve sensacionale.

Kërkesa

"Kërkoj që të rimerret me forcë tema e riatdhesimit të këtyre parave, që janë andej-këtej. Procesi i transparencës ka pasur për qëllim që të tjetërsojë pasuri, por jo të kthejë paratë kreditorëve dhe e shikoni që nuk kthejnë më shumë se 10-11%, ndërkohë që asetet, kapitalet, brenda dhe jashtë Shqipërisë janë shumë të mëdha, janë akoma mjaft resurse të pashfrytëzuara. Kemi firmën "Gjallica", sot e kësaj dite, ky shtet, kjo qeveri nuk bën asgjë për të gjetur dhe zbardhur fatin e 40 milionë dollarëve, që janë zhdukur në fund të dhjetorit të vitit '96, dhe njëri nga personazhet e kësaj shoqërie kërkon që të rihetohet, sepse nuk ka qenë këtu kur është bërë hetimi. Por përsëri askush nuk e vë dorën në zjarr, të gjitha këto i janë relatuar dhe Prokurorit të Përgjithshëm", tha gjatë seancës Preç Zogaj.

Goxhi: Gjithçka ishte brenda ligjit

Deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Kristo Goxhi, ka pranuar përfshirjen në lëvizjen e parave të një prej firmës më të mëdha piramidale në Shqipëri. Por, në një prononcim të dhënë për shtypin, Goxhi tha se lëvizjet e parave janë bërë konform ligjeve. "Të gjithë kemi lënë kush më shumë e kush me pak para në firmat piramidale. Unë e pohoj se kam bërë një transfertë të parave të firmës "Cenaj". Transferta ishte juridike dhe paratë ishin të firmës "Cenaj". Me këtë është njohur dhe drejtësia shqiptare. Lefter Cenajn e kisha mik dhe isha kreditor i tij. Unë s'kam pasur lidhje me ndonjë ministër shqiptar. Nuk e njoh as agjentin grek Vavilis, dhe për këtë mund të pyesni edhe Cenaj, edhe Vavilis, apo Alimuçën. Unë jam deputet i parlamentiti shqiptar dhe përfaqësoj interesat e popullit që më ka votuar", shprehet Goxhi. Ndërsa, duke kundërshtuar deklaratat, se tranferimi i parave është bërë me qëllim fshehjen e tyre, apo qëllime të tjera abuzive, Goxhi thekson se "nuk bëhet fjalë për transfertë të kësaj natyre". Nga ana tjetër dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është shprehur se nga organet zyrtare nuk ka një emër konkret, ndaj dhe shkrimet e mediave, ai i ka cilësuar si abuzive. Përfshirjen e një deputeti të minoritetit e ka zbardhur gjatë dy ditëve gazeta greke.

Malaj: Po sulmohen reformat antipiramidale

Zëdhënësi i ministrit të Financave, Alban Beqja, ka hedhur poshtë pretendimet se ministri Arben Malaj është përfshirë në transfertat e parave të firmave piramidale. "Sulmet e ditëve të fundit, të cilat në mënyrë direkte, ose indirekte i janë drejtuar ministrit të Financave, Arben Malaj, janë pjesë e një fushate dhe presioni, e nisur që në vitin 1997.

Është evident fakti që, shpërbërja e skemave piramidale ka prekur shumë interesa, përfshirë dhe ato kriminale. Një pjesë e burimeve të këtyre skemave janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren për qëllime kriminale. Në vazhdimësi, këto para janë vënë në shërbim të fushatave denigruese kundër personave dhe institucioneve, që janë angazhuar dhe kanë marrë përgjegjësinë për të mbyllur skemat piramidale", tha Beqja. Sipas tij, momenti i përdorimit të këtyre parave në jetën politike të një vendi dhe aq më tepër, në prag të fushatave elektorale, vjen e intensifikohet, duke përbërë një risk në vetvete. "Integrimi në fushata shpifjesh me para të skemave piramidale, është investimi më i keq i individëve, apo përfaqësuesve politikë në këtë fushatë elektorale. Ministri i Financave ka përdorur me përkushtim maksimal përgjegjësinë politike të mandatit të tij, gjatë vitit 1997 e në vijim, për të mbyllur sa më parë të ishte e mundur kompanitë piramidale, ekzistenca e të cilave zgjaste periudhën e krizës dhe të kaosit në vend", tha Beqja.

Interpoli

Nuk kemi dhënë dëshmi për Cenajn

Interpoli i Tiranës ka hedhur poshtë dje deklaratat se për kreun e kompanisë piramidale, Lefter Cenaj, ky institucion ka lëshuar një deklaratë, ku ai cilësohej i pastër nga ndjekjet penale. Gjithashtu Interpol bën të ditur se organet shqiptare tashmë kanë kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Cenajt, nga burgjet e Greqisë në Shqipëri, për të dalë para organeve të drejtësisë së vendit tonë. "Në lidhje me ekstradimin e shtetasit Lefter Cenaj, çështje, e cila është abuzuar në mediat e shkruara, jemi të detyruar të sqarojmë se: Interpol Tirana si strukturë e Policisë së Shtetit asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk ka atributet e lëshimit të dokumenteve që vërtetojnë pastërtinë e figurës së shtetasve shqiptarë, dëshmi penaliteti, dokumente të cilat lëshohen vetëm nga Ministria e Drejtësisë. Shtetasi Lefter Qerim Cenaj, lindur më 04.12.1947 në Kërhovë të Vlorës, president i ish–Kompanisë Huamarrëse “Cenaj&Co” është shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 06.04.2000, në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, më datë 16.08.1999 ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”. Shtetasi Lefter Cenaj është arrestuar nga autoritetet policore greke më datë 28.02.2000, në Janinë, të Greqisë për veprën penale të “mashtrimit dhe falsifikimit”. Në bazë të kërkesës së Interpol Tiranës, Gjykata e Janinës ka aprovuar kërkesën për ekstradimin e shtetasit Cenaj për në Shqipëri, por, pasi ky shtetas të vuajë në Greqi dënimin e dhënë nga drejtësia greke". Gjithashtu pamundësinë e Interpolit për të nxjerrë një deklaratë të tillë e ka konfirmuar dhe ministri i atëhershëm i Rendit, Neritan Ceka. Sipas tij, Interpol nuk është një strukturë që jep deklarata për dëshmi penaliteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›