Nedved: Jam gati
18/03/2005 “Që këtej e tutje do të tregohem më i kujdesshëm”. Këto janë fjalët e vetë Pavel Nedved, i cili mezi pret që të rikthehet në fushën e blertë. Ai ka vendosur që do të tregohet plotësisht i gatshëm për Juventusin deri në fundin e sezonit. Dëmtimi i pësuar në kokë duket se ka mbetur vetëm një kujtim i keq. “Më në fund ndihem mirë dhe jam i kënaqur për rikthimin tim në stërvitje së bashku me shokët e tjerë të skuadrës, ka thënë Nedved. Sigurisht më duhen akoma shumë përgatitje në mënyrë që të arrijë një gjendje të mirë fizike dhe prandaj shpresojë t’ia dalë mbanë për të dhënë së shpejti kontributin tim për Juventusin”. Në takimin kundër Rexhinës Nedved pritet që të jetë në dispozicionin e skuadrës bardhezi. Tashmë pritet vetëm çështja nëse Kapelo do ta zbresi në fushë qysh prej minutës së parë apo do ta lërë ulur në pankinë. Po ashtu mesfushori çek ka falenderuar shokët e skuadrës lidhur me arritjen e kualifikimit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Për Nedved nuk ka qenë aspak e lehtë që të ndiqte takimin kundër Real Madridit si spektator, por tani ai është më se i gatshëm për ta rifilluar aventurën e tij me Juventusin drejt finales së Stambollit. “Jam i kënaqur që shokët e mi arritën të kualifikohen deri në çerekfinale, ka shtuar Nedved. Por, tani më në fund ata do të kenë edhe kontributin tim. Le të shpresojmë se e kam paguar çmimin tim lidhur me fatin e keq të dëmtimeve që kam pësuar. Më është dashur të ndalem disa herë si pasojë e dëmtimit në gju, por tani ndihem mirë”.