E Hënë, 2 Nëntor 2026

Infantilizmi i politikave shqiptare

18/03/2005  Shqiptarët jetojnë në pesë shtete të Ballkanit dhe kanë po aq elita politike, kulturore, biznesmenësh, mafiozësh... Ndodhen në vagona të ndryshëm, të zvarritur nga pesë lokomotiva me shpejtësi jo të barabartë dhe ndoshta prandaj assesi nuk mund të shihen në mes veti e as të vërejnë se atje për ku thonë se janë nisur – në aq të lëvduarën Evropë të bashkuar – shkojnë të copëtuar edhe në lëmi, në të cilat bashkëpunojnë edhe popujt që flasin në gjuhë të ndryshme dhe nuk kanë asgjë të përbashkët në mes vete. Shqiptarët kanë më së paku pesë “principata” politike, ekonomike, kulturore... dhe përplot ambicie që çdo “kasabë” të ketë identitetin e vet njohës kulturor e civilizues. Duke harruar se shumëçka shqiptare ka mbetur pa fizionomi, kaotike, e pazbërthyeshme edhe për vetë shqiptarinë, e lere më për ata që duan të na njohin. Andaj edhe tingëllon si barcoletë më qesharake thënia e politikanëve shqiptarë se janë të angazhuar për integrimin e Ballkanit dhe hyrjen në Evropën pa kufij. Sepse të bëhesh promotor i shlyerjes së kufijve shtetërorë e të mos i shohësh ndasitë brenda etnitetit tënd edhe në lëmenj që nuk kanë të bëjnë me ëndrrat e popujve të vegjël ballkanas për shtete të mëdha etnike, kjo do të thotë se nuk e ke kuptuar se bashkësia ndërkombëtare nuk është kundër, ta zëmë, shqiptarët të kenë gazeta të përditshme rajonale, revista të përbashkëta kulturore, libra të unifikuar të historisë dhe për lexim e shkrim në gjuhën amtare, lidhje të “pulaxhinjve” shqiptarë nga Kosova e Shqipëria, të cilat të bashkuara do t’u konkurronin zogjshitësve të Sllovenisë...

Nëse dikur shqiptarët arsyetoheshin se copëtimi i tyre kulturor, arsimor, informativ... ishte pasojë e mureve ideologjike, ata sot janë të largët në mes vete edhe shkaku i infantilizmit të elitave politike shqiptare, të cilat nuk e tejkaluan frikën “foshnjarake” se për çdo iniciativë rajonale me prefiksin shqiptar, mund t’i akuzojnë për megalomani shtetërore. Infantilizëm, të cilin e parapëlqyen edhe elitat e tjera të shoqërisë shqiptare. Ky infantilizim nuk është i imponuar, por i vetëpëlqyer nga elitat, të cilat dëshmuan se pa ndihmën e qendrave të vendosjes perëndimore, nuk kanë potencë t’i zgjidhin as problemet lokale. Kështu që politikanët shqiptarë sot janë plotësisht të “pavarur” nga populli, të cilin e prezantojnë dhe tërësisht të varur nga ndihma dhe mendimi që kanë për ata qendrat botërore të vendosjes. Kjo paaftësi e tyre edhe i erdhi mirë bashkësisë ndërkombëtare tani kur i nevojitet “qetësi” politike para se të definojë konceptin për Evropën e shekullit të ri me Ballkanin në të dhe kur nga politikanët shqiptarë nuk kërkohet asgjë më shumë se dëgjueshmëri, të cilën ua paguajnë me lirinë e plotë të veprojnë si të duan në oborrin e vet politik, liri të cilën ata e kuptuan si të drejtë të bëhen “kapo di tuti kapo”, të kontrollojnë edhe modelin e kondomëve që do të shiten në mjedisin e tyre e lëre më kontrabandën e duhanit.

Andaj edhe në shoqërinë shqiptare politika u ngjit në piedestalin e biznesit më rentabil e më të parrezikshëm, e politikanët e sotëm shqiptarë anëtarësohen në klubin e kapitalistëve tanë të ardhshëm. Pra, e kundërta nga tradita botërore, ku individi më parë duhet të dëshmohet në profesionin e vet ku edhe pasurohet, që pastaj të realizojë ambiciet politike. Te ne piramida është kthyer mbrapsht. Mbase edhe shkaku se ndërtojmë shoqëri kapitaliste pa patur kapitalistë dhe mëlmesat demokratike na i gatuajnë kuzhinierët që njohin vetëm recetat autokrate. Me çka edhe njëherë dëshmohet e vërteta historike se pas çdo rrënimi të një rendi shoqëror, vjen koha e plaçkitjes, të cilën ne sot e quajmë – kohë e tranzicionit. Kohë kur të gjithë konceptet politike përqëndrohen në materializimin konkret të pjesëmarrësve në lojë, e partitë fillojnë t’u ngjajnë “sektave” të mbyllura, të cilat nën jorganin e interesit kolektiv fshehin përfitimet e grupeve të ngushta partiake.

Shoqëria shqiptare sot është e “konservuar” nga mendësia foshnjarake e politikave shqiptare se ne jemi problem i botës dhe ajo duhet të merret me ne. Se ajo e ka borxh t’i paguaj faturat e mëkateve që na janë bërë në të kaluarën. Kjo mendësi nuk na lejon të shohim se kemi shumë probleme me vetveten, se të gjitha llogaritë do t’i paguajmë vetë. Më në fund, kjo mendësi është mjegull që mbulon atë, të cilën e dinë edhe shkollarët: qysh nesër, e sotmja do të jetë e kaluar, në të cilën do të korrim këtë që mbjellim sot, pa patur mundësi të fajësojmë ndonjerin për të vjelat mjerane. Shoqëria shqiptare sot është në pritje të harxhohen të gjitha vlerat materiale, që mund të “privatizohen” e pastaj kapitalistët tanë – politikanët e sotëm dhe pasardhësit e tyre, të cilët do të jenë të interesuar të mbrojnë pasurinë e vet, të kërkojnë atë që dëshirojmë ne sot – rend shoqëror ku respektohen ligjet. Pra, vitet që i jetojmë duhet t’i ushqejmë me shpresën se do të arrijë gjenerata e elitave politike, e cila do ta ketë të qartë se ne edhe mund të udhëtojmë drejt Evropës në “vagona”, të cilët i zvarrisin lokomotiva të ndryshme, por jo edhe aq të largët sa të flasim një gjuhë e të mos kuptojmë njëri-tjetrin, kur shpjegojmë nga jemi nisur dhe ku duam të arrijmë. Posaçërisht tani kur i tërë Ballkani dhe e tërë Evropa duan të kompletojnë mozaikun e vet kulturor, ekonomik... duke u lidhur në rrjete rajonale ku pikënisje janë ngjashmëritë gjuhësore, kulturore, ekonomike....

Politikat shqiptare në Ballkan kanë vetëm një element të përbashkët: ato janë mbështetur vetëm në përkrahjen ndërkombëtare dhe nuk e kanë lidhur fatin e vet me sukseset konkrete vendore. Andaj edhe lidershipët tanë i kanë zyrat të stolisura me fotografi, ku shihen të përqafuar me burrë shtetasit e huaj (ndërkohë, në asnjë zyrë të huaj diplomatike nuk do të gjeni fotografinë e ndonjë politikani tanë) dhe lavdërohen me atë se sa herë kanë darkuar me ndonjë diplomat perëndimor. Dhe diku, pas fotografive, në të cilat ata ia shtrëngojnë dorën ndonjë komisari të huaj dhe avullit të shijes së ahengjeve “konsultative” me të huajt, fshihet dhe tretet e vërteta se jo vetëm Kosova, por të gjitha “principatat” shqiptare janë protektorate, ku edhe të huajt e kanë kuptuar se ç’do “kryeplak i katundit” e di si bëhet shteti dhe si shkohet në Evropë, por nuk e ka të qartë se si funksionon administrata vendore dhe kur do të hapen rrugët që rajonalisht dhe kombëtarisht do të lidhin Prishtinën me Tiranën. Të huajt e kuptuan se politikat shqiptare në rajon janë anemike, me ambicie klaneske, të proklamuara me fjalorë demokratik e me përmbajtje bajraktareske, kështu që nuk i habit më asgjë dhe “labaratorin politik” shqiptar e përdorin për trajnim të “rinisë” së tyre diplomatike. Ndaj politikanëve shqiptarë sillen si ndajë fëmijëve grindavec, të cilët duhet gjithmonë t’i mbikëqyrësh që të mos e kallin shtëpinë dhe t’i gënjesh se njësoj i çmon dhe nëse merren vesh mes veti do të shpërblehen me dhurata.

Përpos Kosovës, të cilës infantilizmin politik ia imponuan edhe të huajt, me mosbesimin e tyre të pakuptimtë ndaj politikanëve vendorë, në “principatat” tjera shqiptare vetë elitat politike dëshmuan se janë të paafta të lexojnë kalendarin e veprimit lokal, i cili veprim do të mund të vendoset në korniza rajonale. Më në fund, është iluzore të pritet nga bota të harxhojë potencën e vet diplomatike edhe atëherë kur taborët politikë shqiptarë nuk mund të merren vesh as për “Ligjin për gjueti” e lëre më për atë që ua përcakton fatin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Apo të mendojmë se të gjitha qendrat botërore të vendosjes do të çohen në këmbë pse ne nuk e kemi kuptuar se të jashtmit shpeshherë edhe nuk kanë zgjidhje tjetër, përpos që mes dy “grindavecëve” të përkrahin atë më të dëgjueshmin. Duke shpresuar se do të vijë koha kur ne do të votojmë vetëm për ata që e dinë se “malli” lokal-patriotik, të cilin lezeçëm e gëlltit Tetova, vlen vetëm nëse ka afatzgjatje të përdorimit pak më të largët se dita kur ulesh në kolltukun qeveritar.

Duhet pranuar se ka diçka që e kanë kuptuar të gjithë politikanët shqiptarë: se të vërtetat politike gatuhen nga brumi i gënjeshtrave shpresëdhënëse. Por, nuk mësuan asgjë më shumë se kaq, me çka do ta dinin se ky gatim piqet në furrën e vizionit të qartë se cilin cak duhet arritur. Ku ta dish, ndoshta gabojmë ne që vlerësojmë politikanët e jo ata: mbase elitat tona edhe janë afër cakut të ëndërruar – përfitimit personale të mbuluar me interesin kolektiv. Apo ndoshta edhe duhet pranuar hapur se infantilizmi i politikave shqiptare është pjellë e një foshnjërie më të gjerë e të gjitha segmenteve të shoqërisë shqiptare. Andaj edhe nuk është larg të vërtetës thënia se ne, edhe kur portretojmë veprimin politik të lidershipëve tanë, në të vërtetë vizatojmë diagramën e tërësishëm të potencës së shoqërisë shqiptare të paaftë të gjejë vetveten në rrjedhat integruese dhe në konceptet globale ku për popujt e vegjël bëhet gjithnjë e më ngushtë. Posaçërisht për ata popuj që nuk e kanë kuptuar se emblemën mbarevropiane nuk mund ta pasurojnë as me të arritura shkencore as me peshkatari të zhvilluar, por me veçoritë të cilat identifikojnë shkallën e qëndrueshmërisë së vetënjohjes dhe qartësinë e synimeve drejt së ardhmes. E kjo mund të bëhet edhe atëherë kur udhëtojmë në pesë “vagona” që ecin me shpejtësi të ndryshme, por vetëm nëse e kuptojmë se në stacionin e fundit – në Evropën e bashkuar – nuk arrihet me valixhe të larzuar me emblemë demokratike e të mbushur përplot bajraktarizëm primitiv.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›