E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ngjela: Figurat e PS nuk mund të përballojnë politikën e PD

18/03/2005  Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Spartak Ngjela, tha dje se opozita, në përballjen elektorale të verës, do të hedhë në Tiranë të gjithë fondin politik të saj. Sipas Ngjelës, emrat e bërë publikë nga Kryeministri Nano, gjatë festimeve të Ditës së Verës nuk mund të kandidojnë me emrat që do të përzgjidhen nga PD-ja në Tiranë. "Emrat që ka nxjerë Nano nuk janë politikanë dhe s´mund të na përballojnë ne, sepse kemi tjetër skemë për Tiranën. Ne në Tiranë do të hedhim fondin tonë politikë dhe i kemi të gjithë të tillë. Kryeministri Nano paraqiti pesë ose gjashtë emra, të cilët nuk kanë asnjë lloj peshe politike dhe nuk janë marrë me politikë. Mendoj se janë të pashpresë përpara kandidaturave tona", tha Ngjela. Për sa u përket emrave konkretë, sekretari i PD-së tha se ata në më të shumtën e rasteve janë figura të njohura të opozitës. "Politikë do të thotë të jesh për betejë elektorale në luftë politike nuk mund të ketë njerëz të emëruar, të cilët do të provohen. Kurse në Tiranë për të dhënë disa emra kemi Besnik Mustafaj, Bamir Topi, jam unë dhe nga bota akademike është dhe Ylli Pango. Pra, është ky kalibër dhe ju mund të bëni vetë diferencën", tha Ngjela. Gjithsesi, lista e kandidaturave të Tiranës nuk është përfunduar ende, pasi për disa zona të nxehta si në Kombinat apo në ndonjë zonë tjetër, ende nuk është vendosur. Sipas burimeve në PD, vetëm për njësinë numër 6 po shqyrtohen katër emra kandidatësh dhe krerët e PD-së po mendojnë për kandidaturë dinjitoze, që janë në gjendje të përballojë emra të tillë të kundërshtarit si Igli Toska, nga PS-ja, apo Monika Kryemadhi, nga LSI-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›