Halili: Tirana, kurrë më trajnerë të huaj
Leonard Karaj
I ka ardhur në majë të hundës si duket me trajnerët e huaj. Ndaj dje, për herë të parë si drejtues i Tiranës, presidenti bardheblu Refik Halili ka artikuluar shprehjen: Stop teknikëve të huaj te Tirana! Sipas tij ka mjaftuar edhe përvoja negative me Ilija Lonçareviçin që ai të vinte pikat mbi “i”, duke kërkuar një teknik nga familja bardheblu. “Kam pasur shumë presion për zgjedhjen e emrit të ri për pankinën e skuadrës, por ju bëj me dije se brenda dy ditëve do të marrim një vendim definitiv. E sigurt është që emri i ri i trajnerit do të jetë nga familja e Tiranës, pasi kam hequr dorë një herë e mirë nga trajnerët e huaj. Eksperienca e keqe më ka bërë të konfirmoj se sa të jem unë në krye të bardhebluve, nuk do të ketë më teknikë të huaj”, ka pohuar Halili dje, pas mbledhjes me treshen Muka-Tafaj-Dede. Ndonëse nuk e ka artikuluar në ligjëratë të drejtë, tashmë emri i ri i trajnerit të Tiranës pritet të jetë Nevil Dede, i mbështetur nga kapiteni Devi Muka. “Kam biseduar me Nevil Deden, kam biseduar edhe me Alban Tafajn, ashtu siç kam bërë gjithmonë edhe me kapitenin Devi Muka. Unë dhe ai jemi të pandashëm, pasi mendimet tona shkojnë gjithnjë në një drejtim. Ndaj mendoj se shumë shpejt, për dy ditë, do të njihemi me emrin më të ri të pankinës sonë, i cili do të dalë nga familja aktuale e Tiranës. Sa i përket kampionatit në vazhdim, unë kam besim se Tirana do të arrijë në krye të renditjes shumë shpejt, kjo për faktin se ka në organikën e vet futbollistë mjaft të mirë. Nuk dua ta justifikoj kurrsesi gjendjen e skuadrës me faktin që ka pasur dëmtime. Tirana është Tirana, një klub me shumë histori, që do të luftojë deri në fund edhe këtë sezon për titullin”, ka pohuar Halili.
Njëshi i bardhebluve ka marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë për gjendjen aktuale të skuadrës, si dhe ka konfirmuar largimin “e butë” dhe pa probleme të Ilija Lonçareviçit.
“Dua të qartësoj se kam e ruaj respektin më të veçantë për Lonçareviçin si trajner, për eksperiencën që ai ka dhe profesionalizmin që tregoi. Sot Tirana nuk ka nevojë të shkojë nëpër gjykata për të zgjidhur problemet me të ikurit dhe këtë e shikoj si pozitive në raport me Lonçareviçin. Është thënë shpesh herë që unë ndërhyj për të bërë formacionin skuadrës. Iu a them me sinqeritet se një gjë e tillë nuk ka ndodhur për asnjë moment kur në drejtim ka qenë Lonçareviç. Kam dëgjuar se unë kam ndërhyrë në pushim të ndeshjes me Kastriotin, çka nuk është e vërtetë. Kam qenë në korridor dhe nuk hyra fare në dhomat e zhveshjes. Vetëm prita që të dilnin fotbollistët me qëllim që t’u jepja kurajo pasi luanim në “Qemal Stafa” dhe një rezultat i tillë ishte i papranueshëm për ne”, ka përfunduar presidenti i Tiranës Refik Halili.