E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Si e vramë Tan Dishën në kënetë”

 

Armand Bajrami 

Një ditë pasi i penduari i Bandës së Durrësit dëshmoi për 5 orë me radhë tek Krimet e Rënda, një tjetër trupë gjyqësore e kësaj gjykate dëgjoi dje për 150 minuta "të penduarin dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë", Adriatik Coli. "I penduari" i "Bandës së Durrësit" ishte thirrur dje si dëshmitar i akuzës në procesin gjyqësor në ngarkim të Bujar Gashit, të akuzuarit nga Prokuroria si anëtar i "bandës", por që gjykohet në një proces të veçuar prej saj. Para togave të zeza të Krimeve të Rënda, i penduari Coli ka "servirur" dje ngjarjen e muajit korrik të vitit 2000 kur në një pritë të armatosur është vrarë Dritan Disha. I shoqëruar nga forca të shumta policie Adriatik Coli u fut në sallën e gjyqit, vetëm pasi ajo ishte boshatisur nga publiku dhe mediat. Largimi i publikut u bë pas një vendimi të Gjykatës, e cila pranoi kërkesën e bërë nga avokati i të pandehurit Gashi dhe prokurori i çështjes për një seancë me "dyer të mbyllura". Mësohet se me dëshminë e djeshme, prokuroria kërkonte të vërtetonte pjesëmarrjen e të pandehurit Bujar Gashi në ekzekutimin e Dritan Dishës, si edhe përfshirjen e tij në organizatë kriminale. Burime pranë gjykatës, sqaruan se i penduari gjatë dëshmisë i është përmbajtur deklarimeve të dhëna përpara prokurorëve të çështjes. Më poshtë publikohen deklarimet e dhëna prej tij në vitin 2007, deklarime të marra nga ana e përfaqësuesve të organit të akuzës gjatë fazës së hetimeve paraprake. Referuar deklarimeve të dy vjetëve më parë, planifikimi për eliminimin fizik të Dritan Dishës, ishin anëtarët e bandës, ndërsa ekzekutori i tij ishte vetë i penduari, Adriatik Coli. Bujar Gashi për të cilin i penduari dha dje deklarime në Gjykatën e krimeve të Rënda është akuzuar për pjesëmarrje në organizatën kriminale të drejtuar nga Lulzim Berisha. Gashi u arrestua në Itali dhe më pas u ekstradua në Tiranë për zhvillimin e procesit gjyqësor me akuzat e ngritura ndaj tij. Pas ekstradimit gjykata konfirmoi identitetin dhe më pas filloi procesin gjyqësor. Më poshtë publikohet dëshmia e dhënë nga Adriatik Coli kundër Bujar Gashit gjatë hetimeve paraprake, dëshmi e paraqitur dje në gjykatë.     
Vrasja e Dritan Dishës
"Rreth fillimit të muajt korrik 2000, Erjon Lame vrau Mehmet Saliun. Këtë muhabet e mora vesh nga çunat. Ne shkuam në varrimin e Mehmetit dhe aty u bisedua që Metin e kishte vrarë një çun i vogël. Ne na vajti mendja se ishte Erjon Lame. Dua të them se Lulzim Berisha e kishte fis të largët Mehmet Saliun. Erjon Lame gjatë kësaj kohe shoqërohej me Tan Dishën (Dritan Dishën) dhe Artur Vaqon (Tur Labi). Bujar Gashi që ishte kushëri i parë me Metin i tha Klodit, Lentit dhe Indriti që me Erjon Lamen shoqërohet Tan Disha dhe të dy shoqërohen me Hasanët e dy lokaleve në Durrës. Hasanët ishte lidhje e Marsel Sotirit. Ata zakonisht takoheshin lokal "K…" që është pronë e G. Salillarit. Klodi, Plarenti dhe Indrit Taullai vendosën ta vrisnin Tan Dishën, meqë shoqërohej me ata që thashë më lart. Klodi me plarentin vendosën që Tan Dishën ta vrisja unë me Indrit Doklen. Ai më thirri tek shtëpia e tij rreth një javë pas vrasjes së Mehmet Saliut. Aty ishte Indrit Taullai që i thoshim Indriti i madh, Indrit Doklen që i thoshim Indriti i vogël, Plarenti, Klodi dhe Bujar Gashi. Klodi na tha që Tan Dishën do ta vrasësh ti me Indritin i vogël.
Ai i tha që personi që e thërrisnin "Cupe", që kishte një furgon ngjyrë të bardhë me targa Durrësi, që punonte si taksi në linjë Spitallë-Durrës. Klodi i tha Cupes që do marrësh këta çunat dhe do t'i dërgosh deri në Shënavlash. Ai pranoi. Unë me Indritin e vogël morëm secili nga një kallash tek shtëpia e Klodit i pastruam dhe i morën me vete në furgon. U nisëm me furgon unë, dy Indritët, Bujar Gashi dhe si shofer Cupja që i pa armët. Të armatosur ishim unë me Indritin e Vogël me kallash dhe Indriti i madh me pistoletë. Shkuam në Shënavlash tek shtëpia vëllait të Mehmetit. Aty pritëm sa u errësua pak. Aty priti dhe Cupja. Pasi u errësua Bujari kishte lënë një djalë për ta ruajtur tek lagjja e Tan Dishës se kur do të dilte Tani për në Durrës. Unë nuk e dija se kush ishte ky djali. Dolëm me makinën e Cupes dhe zbritëm poshtë. Cupja iku. Unë me Indrit Doklen dolëm dhe zumë pritë rreth 300-400 metra larg shtëpisë së Tan Dishës, kurse Indrit Taullai me Bujar Gashin shkuan 500 metra para nesh në drejtim të rrugës që vinte nga Durrësi, që të na lajmëronin neve që Tani po vinte. Zumë pritë dhe kishim bërë plan që ta qëllonim kur të kthehej nga Durrësi për në shtëpi. Dua të them se Bujari e njihte edhe Tanin dhe makinën që ai lëvizte. Me sa më kujtohet makina e Tanit ishte tip "BMW" ngjyrë jeshile. Pasi kemi ndenjur gjysmë ore në pritë në të dy anët e rrugës. Afër një gardhi ky kishte parkexh makinash në krahun e kënetës ne dëgjuam një të shtënë pistolete që ishte sinjali që kishim lënë me Indritin për ardhjen e Tanit. Indrit Dokle doli në rrugë, ndërsa unë isha pak para tij në anë të rrugës. Sa pashë dritat e makinës që po afrohej, e lashë të afrohet rreth 20 metra dhe e qëllova me automatik derisa mbarova një krehër. Pasi mbarova krehrin qëlloi Indriti. Në atë moment makina doli nga rruga dhe ra në kanal. Unë ndërrova karikatorin u afrova rreth 1-2 metër dhe e qëllova Tanin edhe njëherë me breshëri. Pastaj ne u larguam në këmbë nga këneta dhe armët i hodhëm në kanalin e madh, që kalon afër kënetës. Vendin po ta shoh nga afër mund ta gjej se ku i hodhën armët. Pastaj, shkuam në Spitallë, takova Klodin, Plarentin e Indrit Taullain. Ata më pyetën: "Vdiq?",- Unë i thashë: "Po, po". Pastaj u shpërndamë në shtëpitë tona. Në atë kohë, Luli ishte në burg në Itali.
Pas vrasjes së Tan Dishës, ra qetësia dhe secili shikonte punët e tij. Unë me Bujar Gashin filluam të qëndronim nga Spitalla me Klodin.

Tiranë, lëvizja e "blinduar" e të penduarit ndryshon itinerar
TIRANE - Autokolona e gjatë e makinave të policisë, të cilat shoqërojnë Adriatik Colin gjatë dërgimit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndryshoi dje itinerar. Pesë fuoristrada policie në të cilat qëndronin nga katër oficerë të forcave speciale të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në unazë diku në zonën e "Bërrylit" e më pas zbritën poshtë në drejtim të 9-katësheve. Pasi kanë kaluar para Prokurorisë së Përgjithshme, automjetet dhe blindi në të cilin ndodhej i penduari kanë marrë drejtimin nga qendra e Tiranës për në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Makinat kanë hyrë më pas si zakonisht në tunelin e gjykatës së Krimeve të Rënda, ku efektivat e maskuar të policisë kanë nxjerrë nga blindi të penduarin, e veshur me antiplumb dhe e kanë shoqëruar atë për në sallën ku zhvillohej seanca gjyqësore ditën e djeshme. Lëvizjet e kryera nga autokolona e policisë para hyrjes së saj në unazë janë të paqarta për shkak të vendqëndrimit sekret ku mbahet i penduari i bandës së Durrësit. Në çdo ditë kur ai duhet të paraqitet në gjykatë, sigurimi dhe transportimi i tij bëhet me një autokolonë të gjatë makinash të mbushura me efektiva të forcave speciale. Para shpurës së automjeteve dje, qëndronin dy motorë të Policisë së Qarkullimit Rrugor, të cilët hapnin trafikun me qëllim që autokolona të mos bllokohej. Para blindit ku mbahet i penduari ndodheshin disa makina me efektiva policie të maskuar ndërsa pas, vinin disa automjete të tjera. Menjëherë pas dhënies së deklarimeve në fazën e hetimeve paraprake, Adriatik Coli mori statusin e të penduarit të drejtësisë. Ai i nënshtrohet një programi supermasash sigurie me qëllim garantimin e jetës së tij, për shkak të rrezikshmërisë që paraqet banda kriminale ku ai bënte pjesë, si dhe krimet e rrëfyera prej tij.                                          tr.so  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›