E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja pse u shty zyrtarizimi Muka-Dede

 

Tirana ka shtyrë për dy ditë zyrtarizmin e dyshes Muka-Dede, por një vendim i tillë i marrë nga presidenca dhe drejtuesit e tjerë të klubit është diktuar nga një sërë faktorësh, në mënyrë që t’i krijohet mundësia hap pas hapi mbrojtësit dhe mesfushorit të drejtojnë ekipin. Vetë presidenti Halili dje nuk tha më shumë se kaq në lidhje me teknikun e ri, edhe pse në fjalën e tij para medias mori një qëndrim zyrtar për emërimin e kreut të pankinës pas dy ditësh, duke shtuar ndërkohë se ai do të ishte nga gjiri i familjes bardheblu.
Para se të zhvillohej stërvitja e pasdites, skuadra pati një takim me presidentin Halili, i cili më pas bisedoi kokë më kokë me Tafajn dhe dyshen Muka-Dede, duke lënë detyrat përkatëse. Ka shumë mundësi që shtyrja e prezantimit të trajnerëve bëhet për shkak të testimit të opinionit brenda skuadrës dhe të opinionit sportdashës jashtë grupit, në mënyrë që të mos merret një vendim i nxituar e që mund të sjellë pakënaqësi, në radhë të parë në gjirin e vetë klubit e më pas edhe në radhët e tifozëve. Kjo edhe për faktin se dihet shumë mirë që jo të gjithë tifozët kanë preferencë ndaj njërit apo tjetrit, e kësisoj mund të mos bien dakord me zgjidhjen e bërë. Ka mjaft gjasa që përplasjet e Tiranës me federatën të ndikojnë në shumë mënyra dhe në zgjedhjen e re teknike, e prandaj klubi me shtyrjen e vendimit ka dashur t’i lërë kohë vetes për të testuar situatën. Gjithsesi, ka shumë zëra brenda vetë bardhebluve që shprehen se FSHF-ja ka marrë një valë të paparë denigrimi ndaj kampionëve dhe me dy trajnerë pa licencë e pa eksperiencë mund edhe të krijojë probleme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›