Hidhen baste për Nobelin, Kadare në 10 favoritët
Do ta fitojë, apo jo Ismail Kadare Çmimin Nobel? Tanimë ky nuk është një debat që dëgjohet vetëm në rrethet letrare, apo mes intelektualësh. Sa më shumë afrohet data e shpalljes së çmimeve, aq më të nxehta bëhen debatet. Madje janë bërë objekt edhe i basteve. Hidhen baste për lojëra futbolli, për gara makinash e kuajsh... Qendrat e hedhjes së basteve kanë mbështjellë rreth vetes lloj-lloj sportesh. Por nuk mjaftohen me kaq. Kanë përfshirë edhe politikën, por edhe çmimet “Oscar” dhe së fundi edhe çmimin “Nobel”, aq shumë të diskutuar viteve të fundit edhe në Shqipëri, për shkak se për vite me radhë, garues ka qenë edhe shkrimtari Ismail Kadare. Është pikërisht qendra e basteve “Ladbrokes” www.ladbrokes.com, e cila vepron në Itali, Spanjë, por edhe në Kinë, që ka hapur një bast për gjithë shkrimtarët, të cilët janë në garë për çmimin e madh. Është një listë e gjatë emrash, përkrahë të cilave janë vënë edhe koeficientet. Në krye të listës dhe më favoriti për këtë çmim duket se është shkrimtari izraelit Amos Oz, me kuotën 4/1, duke iu afruar kështu koeficienteve të klubeve të Barcelonës që janë 1 me 1,2. Shkrimtari izraelit ndiqet nga shkrimtarja Assia Dejebar me kuotën 5 me 1 e të tjerë emra me radhë. Në garë është edhe shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, kuota për të cilin është 10 me 1. Sipas asaj që shihet, nëse për Kadarenë vendosni 10 euro në bast, atëherë nëse ai fiton çmimin “Nobel” për letërsinë mund të fitosh 100 euro. Për shkrimtarin shqiptar, i cili është fitues i disa çmimeve të rëndësishme letrare si “Man Booker Prize”, “Princi i Asturias”, etj., nuk është hera e parë që përflitet si kandidat për çmimin prestigjioz, madje duket se emri i tij është aq i lakuar, saqë është përzgjedhur si një favorit për baste. Pavarësisht se koeficienti nuk është edhe aq i lartë, duhet thënë se lista është tepër e gjatë dhe pas tij ka një numër të madh shkrimtarësh të njohur në letërsinë botërore. Mes tyre mund të përmendim për shembull shkrimtarin Thomas Trastomer (12 me 1), Alice Munro, fituese e çmimit “Man Booker Prize”, Bob Dylan, Milan Kundera (25 me 1), Umberto Eco (66 me 1), Salman Rushdie (80 me 1), deri tek William H. Gass (100 me 1). Jo rrallëherë shkrimtari shqiptar është shprehur se e ndjek jo me ndonjë ankth të madh ndarjen e çmimeve “Nobel”, por tanimë fitorja ose jo e këtij çmimi nga Kadare, nuk është më një çështje që i përket thjesht atij dhe letërsisë shqiptare, por është kthyer në një çështje me interes kombëtar. Ndërsa emri i Kadaresë lakohet prej më shumë se 10 vjetësh në qarqet letrare botërore, tanimë kërkesa që çmimi “Nobel” t’i shkojë atij është institucionalizuar. Disa vite më parë, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, ishte Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Kulturës që i dërguan një kërkesë Akademisë Suedeze të Çmimeve Nobel, me motivacionin përkatës, se përse ky çmim i takonte shkrimtarit shqiptar. “Poet, prozator, eseist, Kadare është shkrimtari ynë më i madh bashkëkohor shqiptar dhe përfaqësuesi më i shquar i kulturës së re shqiptare në botë. Vepra e tij është shprehje e pasurimit të kulturës universale me traditat kombëtare artistike të popujve të vegjël me qytetërimin e lashtë. Ajo paraqet një enciklopedi artistike të jetës shqiptare, një afresk të gjerë të ngjarjeve historike dhe bashkëkohore, një udhëtim në hapësirë, në historinë dhe një shpirt shqiptar. Për vlerat e saj, vepra e Kadaresë është përkthyer në gjuhët më të mëdha të botës dhe jo më kot ai është vlerësuar nga kritika ndërkombëtare si një nga shkrimtarët më të shquar të kohës sonë dhe ka marrë disa çmime të rëndësishme si dhe tituj të ndryshëm nderi”. Ndërsa një vit më parë, ishte Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ai që i dërgoi akademisë kërkesën që çmimi për vitin 2009, t’i shkojë shkrimtarit më të shquar shqiptar. “Kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, t’i drejtohem Akademisë suaj të nderuar duke ju propozuar shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, për çmimin “Nobel” në letërsi për vitin 2009. Këtë akt po e ndërmarr, sepse vepra e Ismail Kadaresë është monumentale për nga vlera artistike, si dhe mbart e përcjell mesazhe humaniste e universale ndaj gjithë njerëzimit”, thotë Topi në letrën dërguar Akademisë së huaj. Ai ka kujtuar në letër, se shqiptarët vuajtën njërën prej diktaturave më të egra që njerëzimi ka njohur në shekullin e 20-të, ku izolimi total ishte një nga tiparet dalluese të saj. Në këtë sistem të mbyllur, sipas Topit, shkrimtari i madh Ismail Kadare shkroi një letërsi me frymë evropiane, të lirë dhe emancipuese për artin e kulturën shqiptare, kur kjo ishte gjëja më e vështirë në një shtet komunist të bunkerizuar. Por gjithsesi nëse do të fitojë ose jo Kadare, kjo pritet të zbulohet shumë shpejt. Tanimë janë përcaktuar datat e shpalljes së fituesve për fushat e tjera, si Kimi, Fizikë, Mjekësi, etj, ndërsa ende nuk është shpallur data për çmimin letrar. Tre fituesit e fundit të këtij çmimi janë Jean-Marie Gustave Le Clezio, Doris Lessing dhe Orhan Pamuk.
Bastet
Amos Oz, Izrael 4/1
Assia Djebar, Algjeri 5/1
Joyce Carol Oates, Amerikë 5/1
Herta Muller, Gjermani 7/1
Philip Roth, Amerikë 7/1
Adonis, Siri 8/1
Antonio Tabucchi, Itali 9/1
Claudio Magris, Itali 9/1
Haruki Murakami, Japoni 9/1
Ismail Kadare, Shqipëri 10/1