E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Ekspertët e KLSH, nuk dëshmojnë për vjedhjet në shtet



TIRANE - Prokuroria reagoi dje një ditë pasi kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit akuzoi organin e akuzës për mosveprim me kallëzimet penale të KLSH-së, ndaj punonjësve të administratës që shkaktojnë dëm ekonomik. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, megjithëse ka një marrëveshje bashkëpunimi me Kontrollin e Lartë të Shtetit, ekspertët e këtij institucioni refuzojnë në mënyrë të vazhdueshme të ndihmojnë hetimet. “Ekspertët e KLSH-së që zakonisht konstatojnë një vepër penale me dëm në arkën e shtetit, harrojnë një raport mbi të cilin ngrihet kallëzimi penal. Prokuroria i fillon hetimet mbi bazën e këtij kallëzimi, por zhvillimi i mëtejshëm i çështjes ka nevojë për prova dhe për dëshmi”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, dëshmi dhe prova të tilla, së pari kërkohet të jepen nga vetë ekspertet e KLSH-së që kanë konstatuar krimin, të cilët kanë refuzuar në pothuajse të gjitha rastet, të paraqiten dhe të dëshmojnë në Prokurori. Një tjetër problem me kallëzimet e KLSH-së, sipas organit të akuzës është se ato paraqiten në Prokurori kohë pasi ka ndodhur krimi. Në vitin 2010, bazuar në raportet e tij, KLSH bën kallëzime për vepra penale që janë konsumuar në vitin 2007 apo 2008, ndërsa kanë kaluar dy apo tre vjet, sipas Prokurorisë këto krime ekonomike është vështirë të provohen. Organi i akuzës pohon më tej se në shumë raste, kallëzimet e KLSH-së përmbajnë fakte mbi shkelje administrative të cilat për tu kthyer në akuza penale kërkojnë pikësëpari dëshmitë e ekspertëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit të cilët kanë konstatuar abuzimet. Dy ditë më parë gjatë një raportimi në Komisionin e Ekonomisë, kryetari i KLSH-së Robert çeku, akuzoi prokurorinë për mosveprim dhe në disa raste mbyllje të dosjeve në rrethe me augmente jo profesionale. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›