Vritet i dënuari për pengmarrje
Një 36-vjeçar mbeti i vrarë mbrëmë në Tiranë, pasi u qëllua katër herë me pistoletë nga persona ende të paidentifikuar. Viktima e ngjarjes është Spartak Canaj, nga Yzberishti, person me precedentë penalë. Ai u dërgua i plagosur në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak ku nuk ka arritur të mbijetojë pasi ka gjetur vdekjen pak para mesnatës. Mjekët konfirmuan vdekjen e 36-vjeçarit dy orë pasi ai kishte hyrë në sallën e operacionit. Vrasja ndodhi rreth orës 20:30, në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, në kryeqytet, në momentin kur Spartak Canaj po nxirrte makinën nga parkingu në anë të rrugës dhe njëkohësisht po fliste në telefon. Burime nga policia thanë se 36-vjeçari u qëllua brenda në makinën e tij, nga persona që dyshohet se iu afruan me makinën e tyre paralelisht. Në këtë kohë, vrasësit i drejtuan armën 36-vjeçarit në xhamin e përparmë të makinës duke arritur ta qëllojnë në pjesën e qafës. Katër plumba depërtuan xhamin e makinës tip “Fiat Punto”, jeshile, me targë AH 964 ZS, por vetëm njëri nga plumbat e goditi viktimën. Spartak Canaj kishte disa vite që ishte liruar nga burgu ku vuante dënimin, me akuzën e “rrëmbimit të personit”. Pikërisht ky precedent penal i viktimës, është një nga pistat e mundshme ku po heton Policia e Tiranës në lidhje me ngjarjen. Sipas të dhënave nga policia, viktima ka qenë i arrestuar për vjedhje më 28 tetor të vitit 2002, pasi në bashkëpunim me një mikun e tij nga Yzberishti, Shkëlqim Bahollin, kanë tentuar të rrëmbejnë dy adoleshente. Canaj dhe miku i tij, janë arrestuar në momentin kur po tentonin të hipnin dy vajzat në makinën tip “Lancia” me targa të Durrësit, duke ushtruar dhunë ndaj tyre dhe duke i kërcënuar me thikë. Sipas burimeve nga policia kjo është një nga pistat më të mundshme në lidhje me vrasjen. Grupi i hetimit ndërkohë nuk përjashton pistat e tjera hetimore, duke dyshuar edhe për ndonjë sherr të momentit në lokalin ku ndodhej viktima para se të hipte në makinën e tij. Për këtë arsye policia ka shoqëruar gjatë mbrëmjes së djeshme një numër të madh personash, kalimtarë të rastit dhe klientë të lokalit ku ndodhej para se të qëllohej 36-vjeçari Canaj. e.d