Në vitin 2009, 92 viktima nga trafiku
Zv.ministrja e Brendshme Iva Zajmi tha dje se 94 persona janë trafikuar nga Shqipëria për në shtete të tjera gjatë vitit të kaluar 2009. Ky fakt u bë i ditur dje gjatë prezantimit të gjendjes së trafikut të njerëzve për vitin 2009, në konferencën mbi këtë temë ku morën pjesë përfaqësues të disa ministrive. Zëvendësministrja e Brendshme Iva Zajmi, tha se gjatë vitit 2009 janë identifikuar, referuar dhe asistuar 94 viktima të trafikut, prej tyre 22 fëmijë, 17 vajza dhe 5 djem. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij, pohoi se vitin e kaluar është arritur të regjistrohen në gjendjen civile 7 mijë fëmijë, mes të cilëve edhe përfaqësues të komunitetit rom, si kategoria më e rriskuar për trafikun e qenieve njerëzore. “Përveç hapave të ndërmarra dhe rezultateve të arritura mbetet ende për t’u bërë. Do të vazhdojmë të fokusohemi në prioritete të tilla si parandalimi i fenomenit dhe mbrojtja e pakushtëzuar e viktimave të trafikimit dhe shfrytëzimit të brendshëm apo ndërkufitar, duke i dhënë një vëmendje të veçantë fëmijëve”, tha Ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Ai shtoi se policia, do të vazhdojnë operacionet për goditjen e grupeve kriminale dhe shfrytëzuesve të qenieve njerëzore brenda vendit ashtu edhe me strukturat policore përtej kufijve. Gjatë prezantimit të raportit u evidentuan vendet ku trafikohen qeniet njerëzore nga Shqipëria. Greqia, Italia, Franca, Britania e Madhe dhe Kosova janë vendet ku përfundojnë shqiptarët e trafikuar. Vendet që përdoren për tranzit, janë Greqia, Italia dhe Mali i Zi, nga ku kalohet më pas për në Kroaci, Slloveni dhe vendet e BE, si destinacioni i fundit. Mënyrat që trafikantët përdorin për të shfrytëzuar femrat apo fëmijët, janë premtimet për martesë, punësim, studime, por edhe rrëmbimet dhe shitjet e fëmijëve nga familjarë apo të afërm. Në konferencën e djeshme ishin të pranishëm edhe ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera dhe Zv.ministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, gjithashtu dhe i ftuari i nderit, ish-këshilltari i DASH, David Philips. “Trafikimi ka qenë një problem shumë serioz, por duke njohur progresin e Shqipërisë, jam i bindur se BE do të lejojë lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë dhe Qeveria e SHBA do të vendosë Shqipërinë në kategorinë më të lartë të vendeve që luftojnë trafikimin”, deklaroi David Phillips, ish-këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit.