E Shtunë, 31 Tetor 2026

Celularët, ndërrimi i kompanisë, peng i AKEP

Shërbimi që i mundëson konsumatorëve të ndërrojnë kompani por jo numër, është bllokuar për shkak të një "firme"


TIRANË- Abonentëve të telefonisë së lëvizshme do t'iu duhet të presin edhe disa kohë që të mund t'iu ofrohet shërbimi që u jep mundësinë që të ndërrojnë të kompaninë që ofron shërbimin pa ndërruar numrin.


Edhe pse ky shërbim duhet të ishte bërë aktiv brenda këtij muaji, në përputhje me Ligjin Nr.9918, datë 19.05.2008, për Komunikimeve Elektronike në Republikën e Shqipërisë, çështja ka mbetur në mes për arsye burokratike.


Ky shërbim, i bën të mundur qytetarëve që për arsye të ndryshme si, çmimet e favorshme, mbulimi më i gjërë i territori, shërbimi më i mirë, etj., të mund të ndërrojnë kompaninë celulare por pa ndërruar numrin që kanë në përdorim.


Sipas të dhënave, një arsye që i pengon abonentët të ndërrojnë numrin është kostoja që do të duhet të paguanin ata për të rivendosur nga e para kontaktet me të njohurit e tyre.


I gjithë procesi ka mbetur peng i firmës së Këshillit Drejtues të Bordit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.


Por ky institucion rezulton se nuk është mbledhur më që nga nëntori i vitit të shkuar. Në këtë mënyrë ka mbetur pezull edhe ulja e kostove të shërbimit të telefonisë së lëvizshme ndaj konsumatorëve.


I kontaktuar nga "Shekulli", Ilir Shehu, drejtori i AKEP-it shprehet se, e gjithë çështja ka mbetur në vend numëro pasi nevojitet një mbledhje e Bordit Drejtues të këtij institucioni për të miratuar procedurat që do të ndiqen më tej për të bërë të mundur këtë shërbim.


"Unë si drejtor i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare kam përfunduar çdo gjë që ka të bëjë me postin tim. I gjithë problemi mbetet tek Bordi Drejtues i AKEP-it i cili për arsye që nuk dihen ka kohë që nuk mblidhet për të dhënë lejen e vazhdimit të procedurave", -shprehet Shehu.


Mos ofrimi në kohën e duhur i këtij shërbimi, përbën një shkelje të të drejtave të konsumatorëve pasi, si çdo shërbim tjetër edhe komunikimi është një mall dhe si i tillë blerësi gëzon të drejtën e zgjedhjes së tij pa kosto dytësore.


Referuar kuadrit ligjor, ndryshe nga disa muaj më parë kur numri ishte në pronësi të shtetit ku ky i fundit ia shiste kompanive celulare dhe këto abonentëve të tyre, tashmë ai konsiderohet vetëm pronë e konsumatorit dhe ai ka të gjitha të drejtat që pa e ndërruar atë të mund të zgjedhë shërbimin që pretendon se është më i përshtatshmi për atë.


Disa muaj më parë, e shqetësuar për vonesat në futjen e këtij shërbimi, Zyra e Mbrojtjes së Qytetarëve iu drejtua Parlamentit të Shqipërisë me një letër me anë të së cilës shprehej në mbështetje të këtij shërbimi.


Si bëhet i mundur ndërrimi i numrit


Bashkë më përgatitjen e procedurave të nevojshme për ofrimin e shërbimit të portabilitetit të numrit duhet të ngrihet edhe një qëndër me specialistë të të treja kompanive celulare që janë në treg për të bërë të mundur koordinimin e veprimeve.


Në këtë qendër do të bëhen të gjitha veprimet për abonentët që kërkojnë të ndërrojnë kompaninë që iu ofron shërbimin. Shërbimi i portabilitetit të numrit ka filluar të aplikohet që në vitin 1997 në vende të ndryshme të botës.


Për sa i përket rajonit, ai është i përhapur në kohët e fundit por duke hasur në pengesa të vazhdueshme pasi kompani të ndryshme kanë qenë të interesuara që të mos e fusin këtë shërbim me drojen e humbjes së abonentëve.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›