E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debati i PS, emrat janë kandidatura për kandidat

16/03/2005  "Mendoj që ky porces duhet të mbetet akoma në nivelin konfidencial"

Petro Koçi hedh kritikat e para mbi kandidaturat e shpallura për kryeqytetin

Prezantimi i dy ditëve më parë në publik, i disa kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Tiranë nga kreu i kësaj partie, Fatos Nano, është cilësuar si një veprim i nxituar, prej disa anëtarëve të Kryesisë së PS-së. Sipas anëtarit të Kryesisë së PS-së, Petro Koçi, forumet e larta të PS-së duhet të aspirojnë të zgjedhin emrat e kandidatëve sipas kritereve dhe integritetit që gëzojnë kandidatët. Koçi, duke iu referuar shpalljes publike të disa prej kandidatëve për kryeqytetin, tha se e cilëson "prezantim, që unë, gjithsesi, do ta quaja informal të disa kandidatëve për kandidatë për deputetë". Koçi shprehet se diskutimi i emrave për kandidatë duhet të jetë një çështje e brendshme e strukturave të PS-së."Mendoj që ky porces duhet të mbetet akoma në nivelin konfidencial. Një pjesë e mirë e tyre përmbushin standardet që kërkohen për kandidaturat për deputetë, por kur vijnë tek integriteti moral, që është çështja më e diskutueshme dhe ndoshta akoma në praktikën shqiptare, nuk ka standarde konkrete, të cilat prodhojnë arritje maksimale të këtij parametri. Duhet vepruar me konsulta nëpërmjet standardeve në komunitet, apo dhe në strukturat e partisë", tha dje Koçi.

Publikimi

Kryeministri Nano, gjatë festimit të Ditës së Verës në Tiranë, ka qenë i shoqëruar nga Arben Ahmetaj, Andis Harasani, Mimi Kodheli, Igli Toska, Majlinda Keta dhe Shpëtim Idrizi, të cilët përfliten se do të jenë pjesë e listës socialiste për të përballur zgjedhjet e përgjithshme. Nano tha se, "Tirana dhe kandidatët e Partisë Socialiste janë tashmë bashkë dhe nuk po ndahen. Jemi të sigurtë në fitore, kemi një ekip të ri dhe kompakt në Tiranë dhe se me këtë kompaktësi jemi të bindur në fitore". Kjo deklaratë e kreut të PS-së, duket se ka vënë veton për përcaktimin e emrave për kandidatë. Ndërkohë që struktura e Komiteteve Zonale Elektorale në PS, të cilat janë në proces krijimi, sipas vendimit të KPD-së, duhet të jenë ato, të cilat duhet të përgatitin emrat për kandidatë të kësaj partie për zgjedhjet e Kuvendit 2005-2009. E gjithë procedura, në të cilat duhet të kalojnë hartimi i listës së alternativave për deputetë është një procedurë, që duhet të respektojë të gjitha filtrat e partisë. Alternativat e ofruara pranë kësaj partie do të vlerësohen në fillim në Kryesinë e PS-së. Pastaj kjo listë do të jetë pjesë e punës shqyrtuese të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues për të marrë më vonë dhe miratimin e Kongresit socialist në muajin prill.

KZE nisin përzgjedhjet

Komitetet Zonale Elektorale të Partisë Socialiste kanë filluar procedurën e përzgjedhjes së kryetarëve të tyre në bazë të parimit "një anëtar, një votë". Ka qenë rrethi i Elbasanit, i cili ka startuar në zbatimin e kësaj formule. Një nga funksionet e KZE-ve është dhe përpilimi i listës së kandidatëve për deputetë, duke zbatuar parimin "një anëtar, një votë". Lidhur me këtë fakt, kjo strukturë në zbatim të vendimit të KPD-së, është e para në PS që bën zyrtare listën me 100 emra për kandidatë për deputetë të PS-së. Ndërkohë struktura e KZE-së në rrethet e tjera të vendit janë në vijimësi të procesit të përzgjedhjes së kryetarëve të tyre. Ky proces mendohet që të jetë i përfunduar në fund të muajit mars. Pas përzgjedhjes së kryetarëve për 100 KZE-të, këto struktura do të fillojnë të zbatojnë parimin "një anëtar, një votë", për të bërë vlerësimin e kandidaturave për deputetë. Ky proces mendohet të jetë i përfunduar brenda mesit të muajit prill. Aktualisht, nga drejtuesit e selisë socialiste vonesa e krijimtit të KZE-ve është justifikuar nga bllokimi i punës për ndarjen e hartës elektorale të vendit mes PS-së dhe PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›