Kapet me 15 kile heroinë, dërgohet në burg pa afat
16/03/2005 Burg pa afat dha dje Gjykata e Krimeve të Rënda për të pandehurin Edmond Tare, akuzuar për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike. Tri ditë më parë, Tare u kap në Durrës me makinën e tij teksa po bëhej gati të kalonte kufirin. Gjatë kontrollit në serbatorin e makinës, policia gjeti dhe sekuestroi 15 kile heroinë të pastër. Ndërkohë dje para gjykatës i pandehuri ka mohuar akuzën. Ai është shprehur se makinën nuk e kishte në pronësi dhe se për ta kaluar drejt Italisë, ai kishte marrë vetëm 200 mijë lekë. Tare tha dje në gjykatë se, nuk e dinte përse personat ia dhanë makinën e më pas lekët. Prokurori i çështjes, Behar Dibra, pasi parashtroi të gjitha provat në gjykatë dhe akuzën e saktë, i kërkoi gjyqtarit të gatshëm lënin e të pandehurit në burg pa afat. Pretendimet e Tares dhe të avokatit të tij mbrojtës, nuk u morën parasysh, edhe pse alibia ishte ngritur me kujdes. Është hera e dytë brenda një periudhe kohe të shkurtër, që në Portin e Durrësit policia arrin të sekuestrojë sasi jo të pakta droge. Në të dy rastet, droga ka qenë e fshehur me kujdes në serbatorin e makinës. I pandehuri Edmond Tare ka mundur të kalojë pikën e parë të kontrollit pa vështirësi. Policia ka marrë një sinjal dyshues dhe i ka bërë shenjë për kontroll. Informacioni nuk ka qenë i gabuar. Heroina në serbatorin e makinës ishte e paketuar me kujdes dhe e destinuar për në tregun italian.