E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në gjyq 6 “pengmarrësit” e imamit të Gostivarit

16/03/2005  Prokuroria e Krimeve të Rënda nis dosjen në gjykatë. Ende asnjë gjurmë e Irfan Idrizit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet ndaj gjashtë personave të pandehur si bashkëpunëtorë në pengmarrjen e imamit të Gostivarit, Irfan Idrizi dhe dosja është përcjellë dje në gjykatë për shqyrtim. Shkëlqim Palushi, Masar Meli, Nagip Musliu, Korab Meli dhe vëllezërit Beqir e Basri Shahu, akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprën penale të marrjes peng të shqiptaro-maqedonasit me qëllime përfitimi, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale. Emrat e të akuzuarve janë të evidentuar në kërkesën për gjykim, që është përcjellë dje për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda, të cilën e disponon edhe gazeta “Metropol”. Por policia dhe prokuroria nuk kanë arritur të gjejnë ende ndonjë gjurmë të imamit dhe nuk kanë informacione nëse ai është gjallë diku apo ka vdekur. Gjurmët e tij humbasin në Bardhoc të Kukësit dhe askush nuk pohon ta ketë parë diku tjetër.

Autorët

Në kërkesën për gjykim shpjegohet se procedimi penal për rrëmbimin e imamit të Gostivarit, Irfan Idrizi, është regjistruar fillimisht në Prokurorinë e rrethit të Kukësit, në bazë të kallëzimeve të bëra nga shqiptaro-maqedonasit Mezim Bexheti dhe Agim Bilali. Irfan Idrizi rezulton të jetë rrëmbyer nga disa persona në fshatin Forinë të Gostivarit në Maqedoni, më datë 3 dhjetor të vitit 2002. Në kërkesën për gjykim thuhet se nga provat e grumbulluara dhe nga kallëzimi i dy shqiptaro-maqedonasve ka rezultuar se, Irfan Idrizi është mbajtur peng për disa ditë në fshatin Bardhoc të rrethit të Kukësit. Më 16 dhjetor të vitit 2003, në bazë të informacioneve dhe provave të mbledhura, janë dalluar disa prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje. Konkretisht, nga ana e komisariatit të policisë Kukës, janë arrestuar në flagrancë si autorë të kësaj ngjarje Shkëlqim Palushi, Masar Meli dhe Nagip Musliu, arrestime që janë konsideruar si të ligjshme nga gjykata e këtij rrethi, e cila ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” në ngarkim të këtyre të pandehurve. Ndërkaq, më 19 dhjetor të vitit 2003, hetimi i kësaj çështje për objektivitet i ka kaluar Prokurorisë së Shkodrës, pasi Masar Meli ishte me detyrë si oficer i Policisë Gjyqësore në Kukës. Në kërkesën për gjykim thuhet se falë hetimit të kryer nga Prokuroria e Shkodrës u ndaluan edhe disa persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë të të pandehurve. Ndërkaq, më 1 janar të vitit 2004, nga policia gjyqësore e Shkodrës është arrestuar edhe Korab Meli, ndaj të cilit gjykata ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”. Gjithashtu në këtë periudhë, në gjykatën e Shkodrës është bërë edhe sigurimi i provës, përsa i përket deklarimeve të dy shtetasve shqiptaro-maqedonas, Mezim Bexheti dhe Agim Bilali.

Dëshmitarët

Bexheti dhe Bilali, të cilët ishin të njohur të familjes Irfan Idrizi, pas rrëmbimit të këtij të fundit filluan përpjekjet e tyre për të gjetur dhe liruar pengun, thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas Prokurorisë, ka prova që vërtetojnë se këtë veprim ata e kanë kryer me pëlqimin e familjarëve të imamit të rrëmbyer. Për të gjetur pengun, ata kanë shfrytëzuar njohjet e tyre. Tratativat për gjetjen e Irfan Idrizit kanë filluar në Kosovë dhe në Shqipëri, kryesisht në Kukës. Njëri prej ndërmjetësve, të cilët janë njëkohësisht edhe dëshmitarë, ka kontaktuar me Nagip Musliun, i cili i ka bërë të mundur njohjen e tij me të pandehurin tjetër, Musar Meli, në fund të gushtit të vitit 2003. Ndërsa nga ana tjetër, dëshmitari i dytë tregon se për shkak të njohjeve të shumta të tij në Kosovë, ka kontaktuar me dy persona në Prizren pas 15 janarit 2003, të cilët e kanë çuar në Kukës te klubi në pronësi të Sul Kovaçit. Dëshmitari Mezim Bexheti është takuar aty me dy persona ende të paidentifikuar. Ndërsa në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit të vitit 2003, dy personat e paidentifikuar plotësisht e kanë çuar Bexhetin në Krumë dhe më pas në një fshat, në derën e një banese, ai ka parë Irfan Idrizin të gjallë. Bexheti shpjegon se në krah të pengut kanë qenë dy persona të armatosur. Nga hetimet e Prokurorisë, rezulton se dy personat kanë qenë vëllezërit Beqir dhe Basri Shahu, të cilët në mesin e muajit shkurt të vitit 2003 kishin të strehuar pengun Irfan Idrizi. Kjo banesë u përkiste vëllezërve Shahu.

Gjoba

Dëshmitari Bexheti ka shpjeguar se po në shkurt të vitit 2003, nëpërmjet orientimeve dhe telefonatave të dy shtetasve të tjerë, ka shkuar në periferi të qytetit të Krumës, ku në një banesë tjetër dykatëshe është diskutuar lidhur me shmën e shpërblimit në të holla për lirimin e pengut. Sipas Bexhetit, përfundimisht është lënë që të paguheshin 500 mijë euro. Pasi ka marrë lekët nga vëllai i pengut Gajur Idrizi, më 24 shkurt të vitit 2003, Bexheti thotë se ka shkuar në Ferizaj të Kosovës, ku do të priste deri të enjten më 27 shkurt 2003, që pengu të lirohej e të çohej në Zagreb. Por, më 27 shkurt 2003, nga Deçani, dëshmitari Bexheti ka kaluar kufirin për në Kukës me një "Benz" të kuq 190 dhe 15 kilometra në dalje të qytetit në rrugën me drejtim në Tiranë, kanë ndaluar dhe janë takuar me shtatë persona. Sipas Bexhetit, një prej tyre ka qenë Shkëlqim Palushi. Më pas, ai ka thënë se me një fuoristradë e kanë çuar në një banesë të braktisur fare pranë Fushë-Arrëzit. Aty këta persona si dhe tre persona të tjerë të maskuar, i kanë marrë 500 mijë eurot që kishte me vete. E kanë mbajtur dy ose tri ditë në Fushë-Arrëz dhe pastaj e kanë dërguar në Vlorë me një "Benz" të bardhë dhe e kanë kthyer përsëri në Fushë-Arrëz, ku, sipas tij, e kanë mbajtur edhe tri ditë të tjera. Takimi i fundit që ka bërë dëshmitari Bexheti, ka qenë më datë 15 dhjetor 2003, ku është takuar në hotel “Gjallica” në Kukës me të pandehurit Musar, Shkëlqim dhe Nagip. Aty ata kanë biseduar për lirimin e pengut dhe shpërblimin. Po këtë ditë janë arrestuar nga policia e Kukësit tre të pandehurit. Në banesën e Shkëlqim Palushit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme municioni, lëndë plasëse si dhe një thikë, thuhet në kërkesën për gjykim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Të akuzuarit:

Masar Meli (ish-oficer i Policisë Gjyqësore Kukës)

Nagip Musliu (në rolin e ndërmjetësit për lirimin e pengut)

Shkëlqim Palushi

Korab Meli

Beqir Shahu

Basri Shahu (vëllezërit akuzohen se kanë strehuar në shtëpinë e tyre imamin)

Prokuroria: “Naim Tota dhe ish-polici i Pukës, të paimplikuar”

Prokurori i rrethit të Kukësit, Naim Tota, u pezullua nga detyra pas sigurimit të dëshmisë së Mezim Bexhetit në gjykatën e Shkodrës. Në dëshminë e tij, ai pretendonte se dikush nga bashkëpunëtorët në mbajtjen peng të imamit, ishte mburrur se njihte prokurorin e Kukësit, Naim Tota. Për këtë shkak, Prokuroria e Përgjithshme vendosi pezullim nga detyra të Totës. Por nga verifikimet dhe hetimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, rezultoi se nuk kishte asnjë bazë dyshimi që Tota të ishte i implikuar në këtë pengmarrje. Sipas burimeve të Prokurorisë, dëshmia e Bexhetit në disa momente nuk ishte shumë bindëse, pasi ajo është ballafaquar edhe me deklarimet e të pandehurve. Deklarimet e tij mbi Totën rezultuan të pabaza. Gjithashtu u lirua edhe polici i komisariatit të Pukës, pasi rezultoi që ai të mos kishte pasur dijeni kur transportonte Bexhetin dhe pengmarrësit drejt Vlorës.

Kush është familja Idrizi

Familja Idrizi është ndër më të njohurat dhe më të pasurat në Maqedoni, me kombësi shqiptare. Personi i marrë peng, Irfan Idrizi është vëllai i dy prej biznesmenëve më të dëgjuar në Maqedoni, Gajur Idrizit dhe që zotërojnë firma të fuqishme të mallrave të ndryshme, njëri prej të cilëve me qendër në Zagreb të Kroacisë. Ata janë pronarë të ndërmarrjes "Getro" dhe shtëpisë së mallrave “Importante”. Sipas hetimeve, pengmarrja është kryer për qëllime përfitimi dhe shuma e marrë është mbi 1 milion euro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›