E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji “Për amnistinë fiskale”, biznesit i falen 5 miliardë lekë detyrime



“Nga dita e sotme nis zbatimin ligji "Për amnistinë fiskale" për të gjitha subjektet të cilat kanë borxhe apo detyrime të papaguara pranë administratës doganore”. Këtë gjë e ka deklaruar dje kreu i Doganave shqiptare, Përparim Dervishi, i cili u shpreh se, “në ligj është përcaktuar falja e detyrimeve doganore dhe tatimore të detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve, asaj të regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, të gjobave e kamatë-vonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, por me kushtin, që të paguhet principali brenda një afati kohor prej 6 muajsh”. Sipas Dervishit, amnistia fiskale, ose borxhi i biznesit kundrejt administratës doganore, në total arrin në 5 miliard lekë, ndërsa bizneset janë të detyruara të paguajnë principalin që arrin në vlerën e 2.5 miliard lekëve. "Borxhi i akumuluar llogaritet që nga viti 1992,- bëri të ditur Dervishi,- ndërsa theksoi se llogaritet si borxh i humbur, ose i thënë ndryshe "i shuar", për arsye të ndryshme, vlera prej 1.7 miliard lekë". Ndërkohë, kreu i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, duke e konsideruar "si mjaft të rëndësishëm" këtë hap të qeverisë të ndërmarrë për biznesin, i bëri thirrje atij t'i përgjigjet sa më shpejt zbatimit të këtij ligji, pasi sipas tij, kjo i hap "dritën jeshile" mundësisë për kërkimin dhe negocimin me qeverinë të "amnistive" të tjera fiskale. Sipas të dhënave zyrtare të ministrisë së Financave, në tre vitet e fundit janë arkëtuar 3 miliardë dollarë më shumë, krahasuar me 3-vjeçarin e mëparshëm të qeverisjes paraardhëse.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›