Troket kriza ekonomike, nis rritja e çmimeve te produktet e konsumit
Ervin Koçi
Kriza ekonomike në vend ka nisur të trokasë me gjithë përpjekjet e institucioneve shtetërore për ta fshehur atë. Kjo ka nisur të shfaqet sidomos tek çmimet e produkteve të konsumit, të cilat si çdo vit kanë nisur të lëvizin që në muajin e kaluar. Këtë gjë e konfirmon edhe INSTAT-i, i cili në Indeksin e Çmimeve të Konsumit në muajin shtator 2008 ka raportuar për një rritje prej 1.1 për qind, krahasuar me muajin e kaluar (Gusht 2008). Alketa Spartaku, Drejtoresha e Informacionit në INSTAT, tha dje gjatë një konference për shtyp se, “ndryshimi vjetor në muajin Shtator 2008-Shtator 2007 është 2.7 për qind, ose 1.7 për qind më i ulët se një vit më parë”. Sipas saj, indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”, shënoi një rritje prej 2.1 për qind. Brenda këtij grupi rritja me e madhe prej 7.1 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”.
Ndërkohë që rritje çmimesh vërehen edhe në nëngrupet “mish” me rreth 2.9 për qind, “buke e drithra”, 2.5 për qind më i lartë dhe “qumësht djathë e vezë”, 1.3 për qind më shumë. Gjatë këtij muaji rritje të lehtë shënon dhe indeksi i çmimit edhe për grupin “Pije alkoolike dhe duhan” me rreth 1.3 për qind, “Veshje dhe këpucë” me rreth 0.3 për qind dhe “Argëtim kulturë” me një rritje 10.2 për qind.
Çmimet e shërbimeve
Indeksi i Çmimeve të Konsumit gjatë muajit shtator 2008 shënoi një ulje prej 0.5 përqindësh, por për sektorin e shërbimeve, kjo kundrejt muajit Gusht 2008, bëri të ditur të mërkurën, Instituti i Statistikave. Sipas INSTAT, brenda këtij grupi, ulje të ndjeshme të çmimit veçohen në nëngrupin naftë, çmimi i së cilës është ulur me 3.3 për qind dhe benzina, që është shitur me 2.8 për qind më lirë gjatë Shtatorit, kundrejt një muaji më parë. Në muajin Shtator 2008, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në grupin “Komunikim” shënoi një ulje prej 9.1 për qind, kundrejt një muaji më parë. Sipas INSTAT, në këtë rënie, ndikoi kryesisht, ulja e çmimit t karburanteve në bursat ndërkombëtare, si dhe ulja e tarifave të telefonisë celulare në vend me 13.4 për qind në muajin Shtator.
Volumi i eksporteve
Eksportet nga Shqipëria drejt vendeve të Ballkanit në periudhën janar-korrik, 2008 zunë 59 për qind të totalit të eksporteve, duke u rritur 11 për qind më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Volumi i mallrave të eksportuar drejt vendeve të Ballkanit arriti në 599,098 ton mallra në 7 muajt e parë të vitit 2008, bënë të ditur burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Ndërkohë, në vlerë, në periudhën Janar-Korrik 2008, eksportet nga vendet e Ballkanit llogariten në rreth 17,579 milionë lekë, ose 5,506 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2007. Partneri kryesor në rajon, drejt të cilit, Shqipëria ka eksportuar volumin më të madh të mallrave, është Maqedonia. Në 7 muajt e parë të 2008-s, janë eksportuar rreth 236,878 tonë mallra, me një vlerë prej 1,682 milionë lekësh.
9 Tetor 2008