Debati i fundit midis PS-së dhe PD-së për ligjin e spiunëve
Pikërisht projekti i paraqitur nga Bumçi ka nxitur debate gjatë diskutimit të fundit në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Opozita kundërshtoi projektin duke argumentuar se ai tejkalon kërkesat që rrjedhin nga rezoluta e miratuar në Kuvend në vitin 2006. Deputetët e opozitës braktisën mbledhjen e komisionit kur maxhoranca vendosi të shqyrtojë ligjin për çdo nen. Përfaqësuesi i opozitës, Arben Isaraj, e cilësoi projektin e Bumçit jo një ligj që synon hapjen e dosjeve të spiunëve, por një ligj lustracioni, i cili është i tejkaluar nga politika shqiptare që në vitin 1995. “Ky është ligj i lustrimit dhe jo i spiunëve. Me këtë ligj ne dalim jashtë rezolutës së miratuar nga Kuvendi në vitin 2006, e cila kërkon hartimin e një ligji për hapjen e arkivave dhe për bërjen publike të tyre. Ne duhet t’i përmbahemi asaj që kemi votuar dhe të mos dalim jashtë. Lustracioni nuk mund të përdoret për pozicione që vendosen nga zgjedhjet, vetëm në rastet kur kandidatët e kërkojnë vetë. Pastaj, sipas Këshillit të Europës, Shqipëria e ka mbyllur procesin e lustrimit të figurave zyrtare, por nga ne kërkohet hapja e arkivave dhe bërja e tyre publike”, - është shprehur Isaraj. Ndërsa Bumçi ka argumentuar se dy janë çështjet parimore për të cilat nuk është rënë dakord me relatorin Isaraj gjatë negociatave. Sipas tij, është e rëndësishme të përcaktohet se nëse duhet të verifikohen sërish personat e verifikuar më parë. Sipas Bumçit, PD-ja mendon se duhet të përfshihen të gjithë në procesin e verifikimit, ndërsa PS-ja mendon se ata që e kanë kaluar më parë procesin nuk duhet të bëhen sërish pjesë e tij. Një tjetër çështje, që sipas Bumçit kërkon sqarim, është dhe fakti se çfarë vendimi do të merret për personat që rezultojnë të papajtueshëm me postet që mbajnë. Sipas tij, PD-ja mendon se ai duhet të ndërpresë mandatin dhe të shkarkohet, ndërsa PS-ja mendon se nuk mund të ndërpritet mandati kushtetues ndaj ai do të vazhdojë të mbajë detyrën, por do të bëhet publik emri i tij.
29 Gusht 2008