Skandali diplomatik në Itali, PD-ja zhvendos vëmendjen me ligjin e spiunëve
Eljona Ballhysa
Në kulmin e debatit për skandalin diplomatik, ku një shofer i Ambasadës Shqiptare në Itali kapet me një kilogram drogë, Partia Demokratike rikthen në skenën e politikës shqiptare ligjin për spiunët. Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, është shprehur dje se PD-ja është e vendosur ta miratojë ligjin brenda muajit shtator. Nga ana tjetër, socialistët shprehen të habitur, pasi sipas Isarajt, palët ndajnë qëndrime krejtësisht të kundërta. Rikthimi në vëmendjen e politikës shqiptare të ligjit të spiunëve vërteton përpjekjen e PD-së për ta zhvendosur vëmendjen në skandalin e radhës të qeverisë shqiptare, ku një shofer i Ambasadës Shqiptare në Itali është kapur duke trafikuar drogë.
Demokratët
Bumçi u shpreh dje se PD-ja tashmë ka është njohur me qëndrimin e socialistëve për ligjin për hapjen e dosjeve. Ai ka bërë të ditur se socialistët kërkojnë që ky ligj të kalojë me konsensus. Sipas Bumçit, sido që të jetë vendimi i socialistëve, ligji për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë do të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë brenda muajit shtator dhe nuk ka për t’u arkivuar më. “Çështjet janë të njohura. Palët tashmë kanë njohur qëndrimet e njëra-tjetrës. Mendoj se s’do të marrë kohë në shtator, pra brenda këtij muaji ne do ta miratojmë ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Qëndrimi politik i Partisë Socialiste është që do ta kalojmë bashkërisht ligjin, megjithatë, sido që të jetë qëndrimi i tyre, ne nuk do ta arkivojmë, pasi është një ligj shumë i rëndësishëm, të cilin ua kemi premtuar shqiptarëve”, - është shprehur përfaqësuesi i Partisë Demokratike.
Socialistët
Nga ana tjetër, relatori socialist i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Arben Isaraj, ka bërë të ditur për gazetën “Albania” se dy partitë e mëdha kanë qëndrime krejt të ndryshme për ligjin e spiunëve. Ai shpjegon se PS-ja është për hapjen e arkivave të komunizmit, ndërsa PD-ja është për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë. “Së pari, duhet të jemi të qartë për publikun se PD-ja është për ligjin e pastërtisë së figurave, si në vitin 1995 dhe PS-ja është për heqjen e arkivave të komunizmit. Më konkretisht, PS-ja mbetet konsekuente në qëndrimin e saj të shprehur, se është për hapjen e të gjitha arkivave të komunizmit, por projektligji dhe procesi duhet të përputhen me rezolutat e KE-së dhe të respektojnë Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Në këtë pikë, PD-ja e djathtë ka qenë çuditërisht kundër”, - është shprehur Isaraj. Ai gjithashtu, bën të ditur se, si i mandatuar i PS-së për të negociuar me PD-në për ligjin e spiunëve, ka kohë që nuk është takuar me relatorin e PD-së, Bumçi. “Si i mandatuar nga PS-ja për këtë çështje, nuk kam kontaktuar me zotin Bumçi që nga data 28 korrik 2008. Aq më tepër vazhdoj pushimet familjare në Itakën e Odiseut, ku gojëdhënat mbi kalin e Odisesë që shkatërroi Trojën janë pa mëdyshje më interesante dhe më serioze se ‘Kali’ i Doktorit, që do të shkatërrojë të ardhmen auro-atlantike të Shqipërisë”, - është shprehur Isaraj.
29 Gusht 2008