E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shqiptare dënon njohjen e pavarësisë së Osetisë dhe të Abkhazisë nga Rusia



Qeveria shqiptare ka dënuar dje njohjen e pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë nga Rusia. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka dënuar vendimin e Rusisë për njohjen e pavarësisë të dy rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, dhe e konsideron këtë hap të pajustifikueshëm, të papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të votuara edhe nga vetë Rusia. Në këtë kontekst, Ministria e Punëve të Jashtme hedh poshtë me vendosmëri çdo përpjekje për të vendosur paralele midis Kosovës dhe rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. “Argumente të panumërta historike, shkencore e juridike, dëshmojnë se rasti i Kosovës është unik dhe zgjidhja e zbatuar për të është unike. Si e tillë, ajo nuk shërben e as nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e konflikteve të tjera as në rajon, as jashtë tij”, - shkruhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Jashtme. Në të theksohet se qëndrimi i Rusisë në mbështetje të shkëputjes nga Gjeorgjia të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut bie në kundërshtim me qëndrimin që mbajti në rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Moska po komprometon përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e drejtë, realiste dhe të qëndrueshme të konflikteve. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh mbështetjen e plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë dhe i bashkohet thirrjes drejtuar Moskës zyrtare që, në mbështetje të të drejtës ndërkombëtare dhe parimeve themelore të sigurisë europiane, të rishikojë vendimin e saj për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, pasi vetëm kështu i kontribuohet paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë”, - bën thirrje në deklaratën për shtyp Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

29 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›