Vasili ironizon Edi Ramën: “Është bërë si Beni ecën vetë”
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka ironizuar kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, në lidhje me intervistën e tij më të fundit, dhënë për “Zërin e Amerikës”, ku deklaronte se PS-ja do të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 me një bashkim të ri, por pa LSI-në. Vasili ka deklaruar se Rama po përpëlitet nga frika e humbjes së zgjedhjeve, ndërkohë që e ka etiketuar kreun e PS-së si personazhin e Benit te filmi “Beni ecën vetë”. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, kjo gjë është e pashmangshme në rast se Rama do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Berishën, në dëm të interesave të opozitës dhe të elektoratit shqiptar. “Deklaratat e Edi Ramës, ashtu si te filmi ‘Beni ecën vetë’, që këndonte këngë partizane në pyll për t'i dalë frika. Ai po përpiqet t’i mbushë mendjen vetes se nuk do t’i humbasë zgjedhjet e ardhshme, por kjo është e pashmangshme për sa kohë Rama do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Berishën, të përçajë të majtën dhe të shesë interesat e elektoratit të majtë", - deklaroi Vasili. Duke iu referuar intervistës dhënë nga SHBA-të për "Zërin e Amerikës", sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se nga zhvillimet atje Rama "pa në Amerikë se si bëhet opozitë, dhe jo pazar si i tiji me Berishën. Megjithatë, për Lëvizjen Socialiste për Integrim është fare e qartë se kryetari i radhës i PS-së, edhe pas kësaj vizite nuk ka mësuar se si bëhet opozita e vërtetë, se si trajtohet kundërshtari politik”, - tha Vasili. Ai theksoi se kjo gjendje shkaktohet ngaqë për kryetarin e PS-së, Edi Rama, prioritet është aleanca me Berishën dhe jo me Shqipërinë që vuan berishizmin.
29 Gusht 2008