Lazër Stani: “PD-ja të ndalë agresionin politik ndaj Partisë Demokristiane”
Sekretari Politik i Partisë Demokristiane, Lazër Stani, ka dënuar dje, gjatë një deklarate për shtyp, valën e shkarkimeve në spitalet e vendit. Ai e ka cilësuar këtë sulm politik që po i bëhet Partisë Demokristiane nga zyrtarë të caktuar të Partisë Demokratike. “Segmente të caktuara të shtetit dhe zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike prej më shumë se një viti janë përfshirë në një fushatë të errët për të likuiduar politikisht Partinë Demokristiane, edhe pse PDK-ja bën pjesë në maxhorancën qeverisëse dhe është parti e mirëfilltë e qendrës së djathtë, siç janë në të gjithë Europën partitë demokristiane dhe kristiandemokrate. Ky agresivitet ndaj PDK-së dhe përfaqësuesve të saj, madje edhe kundër individëve që dyshohen si mbështetës të PDK-së, është shtuar sidomos pas përpjekjeve të dështuara për të përçarë dhe likuiduar politikisht PDK-në dhe për të emëruar ne vend të saj një PDK më individë të zgjedhur në zyrat e PD-së. Ende pa venë mirë këmbët në Ministrinë e Shëndetësisë, ministrja e re largoi në mënyrë të paligjshme disa prej zyrtarëve dhe nëpunësve civilë më të lartë të kësaj ministrie si dhe janë vënë në shënjestër edhe me dhjetëra punonjës të Shërbimit Civil dhe drejtues të institucioneve shëndetësore, vetëm e vetëm pse ata kanë bashkëpunuar me kryetarin e PDK-së, Nard Ndoka”, - ka theksuar Stani për mediat. Ai bën të ditur se ministrja Godo i ka kërkuar dorëheqjen zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë nëpërmjet mesazheve telefonike. “SMS-të e dërguara nga ministrja edhe gjatë fundjavave, ku u kërkohet dorëheqje zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtuesve te institucioneve, janë një ogur i keq për reformën në Shëndetësi dhe shprehin një mentalitet primitiv në qeverisje. Ministrja Godo ka firmosur shkarkimin e dy drejtorëve të Elbasanit, Luan Tabaku, drejtor i Drejtorisë së Spitalit Elbasan dhe të Everest Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Elbasan, ndërkohë që para pak ditëve u shkarkua edhe drejtori i Spitalit në Durrës. Një listë e gjatë shkarkimesh pritet të ekzekutohet në ditët e ardhshme, duke larguar çdo njeri që ka lidhje ose dyshohet se ka lidhje me Partinë Demokristiane”, - ka bërë të ditur Stani. Ai thekson se veprime të tilla janë të paligjshme, të nxitura nga instinktet primitive të hakmarrjes politike dhe vënë në pikëpyetje funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. “Ne i kërkojmë gjithashtu kryeministrit dhe segmenteve të pushtetit të kontrolluara prej tij, të ndalin përndjekjen politike të demokristianëve, akt ky që na kujton luftën kriminale të klasave dhe urrejtjen patologjike të diktatorit për kristianët e Shqipërisë dhe Europën”, - ka përfunduar sekretari Politik i PDK-së.
29 Gusht 2008