E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat dhe diplomat që ofrohen në fakultetet e Universitetit të Tiranës



Jonida Tashi

Fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë përfunduar paketën e plotë të masterave dhe diplomave që do të ofrojnë për vitin akademik 2008-2009. Propozimet e tetë fakulteteve të Universitetit të Tiranës për ndjekjen e këtyre studimeve tashmë janë dorëzuar edhe në Rektoratin e këtij universiteti. Pas rishqyrtimit të bërë nga specialistët e kurrikulave në Universitetin e Tiranës, propozimet për master dhe diplomë të nivelit të dytë kanë marrë miratimin nga Senati i UT-së. Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se pritet vetëm miratimi nga Ministria e Arsimit për propozimet e paraqitura nga fakultetet. Pas miratimit të këtyre propozimeve nga MASH-i do të nisë regjistrimi në fakultetet përkatëse për ndjekjen e studimeve master dhe marrjen e një diplome të dytë.
Fakultetet
Aktualisht, të gjitha fakultetet në vend kanë hartuar programet e reja për masterat e Bolonjës, të cilat janë dërguar në Ministrinë e Arsimit për t’u miratuar më pas nga Këshilli i Ministrave. Fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë hartuar programet për master të nivelit të parë, master të nivelit të dytë dhe për diplomat e nivelit të dytë që do të ofrojnë. Të tetë fakultetet e UT-së ofrojnë një larmi masterash dhe disa mundësi zgjedhjesh për të interesuarit. Programet e reja për master janë dërguar edhe në Rektoratin e Universitetit të Tiranës. Sipas rregullit, këtu programet e masterave që ofrohen nga çdo fakultet rishikohen nga specialistët e masterave në këtë institucion dhe më pas nevojitet vetëm miratimi i Ministrisë së Arsimit. Fakultetet, pas përfundimit të procesit të hartimit të kurrikulave, janë në pritje të miratimit të propozimeve të bëra.
Studentët
Studentët që kanë mbaruar një fakultet dhe dëshirojnë të ndjekin studimet e mëtejshme, shkollat e larta, ku ata kanë përfunduar studimet ofrojnë mastera të degëve të ndryshme. Aplikimi përfshin disa kritere në përzgjedhjen e studentëve, ku një ndër kryesoret është edhe mesatarja mbi 8 e lëndëve që janë bërë në fakultet.
Në master të nivelit të parë do të përfshihen të gjithë studentët që do të jenë pjesë e sistemit 3 plus 2, të sistemit të Kartës së Bolonjës. Të gjithë studentët që përmbushin kriteret, pasi kanë mbaruar 3-vjeçarin, do të bëjnë një vit master. Ndërsa për të ndjekur një master të nivelit të dytë, pranimi varet nga kreditet, por një master të tillë mund ta vazhdojnë edhe ata që kanë mbaruar sistemin akademik 4-vjeçar. Për çdo master të mbrojtur, lëndët do të jenë të ndryshme dhe ka nëntë lëndë, plus dy lëndë të tjera me zgjedhje të lirë nga aplikanti. Fakulteti i Ekonomisë ofron 6 lloje masterash, për të cilat janë vendosur disa kritere. Masterat që mund të kryhen në këtë fakultet janë: Master në Administrim Publik, Master në Administrim Biznesi, Master në Kontabilitet, Master në Studime Ekonomike, Master në Financë, Master në Financat e Ndërmarrjes. Programi mësimor konsiston në 11 lëndë, ku nëntë lëndë janë të trungut, ndërsa dy lëndë janë me zgjedhje, si dhe projekti i kursit. Lëndët zhvillohen sipas semestrit. Periudha kohore e realizimit të programit varet nga numri i kurseve që aplikanti ndjek çdo semestër. Ndërsa kohëzgjatja e kursit është 2 deri në tre vjet, ku një semestër ka 12 javë.
Aplikimi
Aplikimet për programin “Master” do të pranohen deri në datën 20 shtator të çdo viti. Kurset zhvillohen nga pedagogë të huaj dhe të Fakultetit Ekonomik. Aplikanti që kërkon të mbrojë titullin “Master” duhet të plotësojë disa kushte, si të ketë përfunduar studimet e larta në Ekonomi dhe të ketë mesataren e viteve të fakultetit mbi 8. Po kështu, të ketë njohuri të mira në matematikë dhe në gjuhën angleze. Por, stafi i pedagogëve për titullin “Master” në Fakultetin Ekonomik ka vendosur që të gjithë aplikantët t’i nënshtrohen një testimi. Kuota që aplikantët duhet të paguajnë për kryerjen e një masteri 2–vjeçar është 150 mijë lekë. Aplikanti duhet të dorëzojë në zyrën e masterit formularin e aplikimit, një kopje të diplomës së shkollës së lartë dhe listën e notave të noterizuar. Po kështu, duhet të dorëzojë dëshminë e provimit të gjuhës angleze (nëse e ka), si dhe dy letra rekomandimi nga persona të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të aplikantit.

29 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›