E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debati mes Nanos dhe Berishës në fund të qershorit

09/06/2005  Debati mediatik mes Kryeministrit Nano dhe kryetarit të PD-së, Berisha, mund të zhvillohet në javën e fundit të qershorit, vetëm pak ditë para datës së zgjedhjeve. Përfaqësuesit e dy kampeve politike, Mero Baze dhe Erion Braçe, vazhdojnë të komunikojnë me anë të postës elektronike për kohën, televizionin apo emrin e moderatorit, ku do të zhvillohet ky debat. Nga ana e Kryeministrit Nano është kërkuar që të zhvillohen dy debate në kohë të ndryshme, gjë që nuk është hedhur poshtë nga ana e kampit opozitar. Zëdhënësi i fushatës, Lulëzim Basha, tha dje se nuk ka rëndësi numri i debateve, që mund të kryhen, por prezantimi i alteranativave. “Është programi që ka rëndësi, janë alternativat, është pra substanca që ka rëndësi dhe ne nuk e shohim si pengesë numrin e debateve, që do të realizohet”, tha Basha. Por, ndërkohë e drejta e transmetimit ka vënë në garë dhe televizione të ndryshme, që kërkojnë të drejtën e transmetimit të këtij debati, duke shkaktuar dhe përplasje mes tyre për paanshmërinë dhe audiencën më të lartë. Një tjetër propozim është që debati mund të transmetohet edhe në disa kanale televizive njëherësh, me qëllim shmangien e ndonjë keqkuptimi nga operatorë të ndryshëm televizivë. Gjithsesi, në ditët në vazhdim do të zbardhen edhe modalitetet që do të bëjnë të mundur zhvillimin e këtij debati. Për herë të parë, një debat mes Nanos dhe Berishës është zhvilluar në vitin 2002, në emisionin “Opinion”, të drejtuar nga gazetari Blendi Fevziu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›