E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata, sot vendimi për 1400 studentë të paregjistruar

09/06/2005  Gjykata e Tiranës edhe dje nuk ka mundur të marrë një vendim për regjistrimin e 1400 studentëve në zonën 38, në Tiranë. Procesi është hapur nga kandidati i PD-së në këtë zonë, Ylli Pango, i cili akuzon kryetarin e Njësisë Bashkiake numër 2, Përparim Bodinaku, se qëllimisht ka lënë jashtë listave të votimit 1400 banorë të Qytetit Studenti. Shtyrja e marrjes së vendimit nga gjyqtarja Teuta Hoxha, u bë sepse në sallë nuk ishte paraqitur pala e paditur. Studentët kanë zgjedhur një përfaqësi prej pesë personash të përbërë nga Brunilda Kocali, Surja Hoxha, Surja Balla, Vojsava Toska dhe Edmir Cerkezi, të cilët të premten ngritën një padi kundër minibashkisë nr.2. Sipas avokatit të studentëve, Enkelejd Alibej, dekanatet kanë dorëzuar në kohë listat e votuesve të Qytetit Studenti. Duke iu referuar nenin 64/1 pikë 3, në të cilin thuhet se “brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, dekanët dorëzojnë në rektoratin përkatës listën e studentëve që kanë bërë kërkesë për të votuar me vendqëndrim. Në listën e përgatitur nga dekanati përfshihen vetëm studentët e regjistruar pranë fakultetit përkatës. Dekanët duhet të specifikojnë njësinë e qeverisjes vendore, ku zgjedhësit kanë vendbanimin”, tha Alibej.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›