PD, Zheji keqpërdor TVSH në favor të PS-së
09/06/2005 Zëdhënësi i fushatës së PD-së, Lulëzim Basha, ka thënë dje se njëanshmëria e treguar nga TVSH në pasqyrimin e fushatës elektorale mbështetet në fakte dhe jo në paragjykime. Sipas Bashës, kjo është evidentuar dhe nga dy institucionet kompetente, siçjanë Bordi i Monitorimit të Mediave pranë KQZ dhe Këshilli Drejtues i TVSH. “Përkatësisht më datë 5 qershor, Bordi i Monitorimit të Medias vëren se Televizioni Publik Shqiptar ka transmetuar direkt fjalën e kryetarit të PS, Fatos Nano, në hapjen e fushatës elektorale. Kjo dëshmon njëanshmëri të theksuar politike, duke shkelur kërkesat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, neni 136/2, i cili i referohet dhe ligjit nr. 8410 Për Radion dhe Televizionin Publik dhe Privat në Republikën e Shqipërisë, neni 4,36 dhe 41. Po ashtu, këto shkelje bien në kundërshtim dhe me nenin 137/1 të Kodit Zgjedhor, ku përcaktohet qartë raporti i barabartë i detyrueshëm për minutazhin në dispozicion të partive politike. Nën të njëjtën logjikë, Këshilli Drejtues i RTSH disa ditë më parë ka miratuar një deklaratë, ku kritikon drejtuesit e TVSH dhe në mënyrë specifike Artur Zhejin, për njëanshmëri të theksuar në favor të Partisë Socialiste”, tha Basha.