E Diel, 1 Nëntor 2026

Debati në Gjykatën Kushtetuese, gjyqësori kundër qeverisë për heqjen e makinave

 Aristir LumeziLigji i qeverisë për makinat e gjyqtarëve ka nxitur dje debat në Gjykatën Kushtetuese. Gjyqtarët dhe përfaqësuesit e qeverisë e të Kuvendit kanë përballur qëndrime të ndryshme rreth të drejtës së gjyqësorit, si pushtet i pavarur përballë qeverisë dhe legjislativit në lidhje me garantimin e statusit dhe sigurisë së tij. Madje në këtë diskutim, gjyqtarët nuk arrinin të merrnin përgjigje nga përfaqësuesit e kuvendit dhe qeverisë, për qëllimin e ligjit dhe cenimin e pavarësisë dhe statusit të gjyqtarit. Juristi i Kuvendit, Lulëzim Lelçaj, e cilësoi të gabuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të ligjit deri në vendimin përfundimtar të saj. Këtë deklaratë përfaqësuesi i Kuvendit e bëri duke replikuar me gjyqtarët e tjerë, gjë që detyroi kryetarin e kësaj gjykate, Vladimir Kristo t’i tërhiqte atij vëmendjen madje dhe ta paralajmëronte për ta nxjerrë jashtë sallës. Kristo i sugjeroi përfaqësuesve të Qeverisë dhe Kuvendit që të konsultohen me grupet e interesit para se të hartojnë një ligj, duke lënë të nënkuptohej se një rrugë e tillë të çon në dyert e Gjykatës Kushtetuese. “Nëse do negociohej jam i bindur se do gjendej një zgjidhje e pranueshme për palët. Ne nuk jemi në pozitë komode, por ne duhet të shqyrtojmë kërkesat sa herë na vijnë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është detyra jonë. Transmetojeni ju lutem dhe drejtuesve tuaj që ta marrin parasysh këtë sugjerim në përgatitjen e ligjeve”, u shpreh Kristo në një ndërhyrje të pazakontë për një seancë të Gjykatës Kushtetuese. Përfaqësuesi i Kuvendit tha në seancë se qëllimi i ligjit ishte disiplinimi i shpenzimeve, por dhe për të bërë një ligj që rregullon marrëdhënien e gjyqtarit me buxhetin. Lelçaj nuk e quajti cenim të pushtetit gjyqësor ndryshimin e mënyrës së transportit për gjyqtarët, pasi sipas tij, ky ishte një përfitim i cili ata e kishin përfituar pa ligj. SeancaUnioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, të cilët u përfaqësuan nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, dhe gjyqtari i Gjykatës për Krimet e Rënda, Armando Leçaj, kërkoi nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të disa neneve të ligjit për makinat. Sipas Dvoranit, heqja për gjyqtarët e të gjitha niveleve e shërbimit të transportit bie ndesh me frymën e shtetit të së drejtës dhe cenon parimet themelore të një shteti të tillë, atë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit. Transporti, në argumentet e Unionit nuk është një luks, por një garanci në shërbim të dhënies së drejtësisë së pavarur dhe të paanshme. Unioni i gjyqtarëve solli dje në Gjykatë vendime për çështje të tilla nga gjykatat e çekisë dhe Polonisë, si dhe në ligje ndërkombëtare që rregullojnë dhe përforcojnë pozitën e gjyqtarit dhe nevojën e tij për të qenë i sigurt dhe i pandikuar në detyrën e rëndësishme të dhënies së drejtësisë. Dvorani deklaroi se ligji është miratuar pa u konsultuar me grupet e interesit dhe se brenda tij ka dhe shumë defekte në kuptim të teknikës legjislative. Të gjitha këto sëbashku e bëjnë ligjin në thelb antikushtetues. Përfaqësuesja e qeverisë, Marsida Xhaferrllari paraqiti para gjykatës qëllimin e ligjit, që ishte ai i një riformatimi të buxhetit të shtetit në shërbim të administrimit të mirë të tij. Përfaqësuesja e qeverisë nuk e konsideroi cenim të pushtetit gjyqësor ndryshimin e mënyrës së transportit për gjyqtarët, pasi sipas saj ky ishte një përfitim, i cili ata e kishin përfituar pa ligj.Debati në Gjykatën KushtetueseVladimir Kristo-Lulëzim Lelçajt: Të lutem shumë, këtu jemi në Gjykatën Kushtetuese, seancën e drejtoj unë dhe kërkoj të qetësohesh dhe të dëgjosh dhe të respektosh gjyqtarët. Nëse të drejtohet një pyetje jepi përgjigje, mos e ndërprit gjyqtarin dhe nëse nuk mund të përgjigjesh mund ta thuash këtë. Nëse nuk mund ta bëni edhe këtë, mund t’ju nxjerr dhe jashtë.Lulëzim Lelçaj: Ju kërkoj ndjesë zoti kryetar.Vladimir Kristo: Kam një vërejtje që doja ta merrnit dhe si sugjerim dashamirës. Ju drejtohem si juve përfaqësuesve të Kuvendit, ashtu dhe përfaqësueses së Qeverisë. Përse e keni kaq të vështirë të konsultoheni me grupet e interesit në hartimin e ligjit, për një çështje kaq të rëndësishme që lidhet me balancimin e pushteteve që nënkupton dhe mirëkuptim dhe bashkëveprim. Nëse do negociohej jam i bindur se do gjendej një zgjidhje e pranueshme për palët. Ne nuk jemi në pozitë komode, por ne duhet të shqyrtojmë kërkesat sa herë na vijnë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është detyra jonë. Transmetojeni ju lutem dhe drejtuesve tuaj që ta marrin parasysh këtë sugjerim në përgatitjen e ligjeve.Lulëzim Lelçaj: Procedura parlamentare zoti kryetar ka ezauruar edhe konsultimin. Komisioni i Ligjeve ka mirëpritur nga Gjykata e Lartë sugjerime. KQZ na ka sjellë mendimin e saj. Ndoshta posta ka vonuar për të përcjellë korrespondencën me Gjykatën e Lartë.Sokol Sadushi: ç’kritere janë ndjekur për të përgatitur lidhjen e parë dhe lidhjen e dytë të funksioneve që preken nga ky ligj?Lulëzim Lelçaj: Nuk ka qenë rendi alfabetik. Diferenca është tek pozicioni kushtetues që këto kategori përfaqësojnë.Fehmi Abdiu: Kur preket veprimtaria e një institucioni kushtetues, si duhet të veprojë Kuvendi? Sepse numrin dhe pagat e administratës në Gjykatën Kushtetuese i përcakton vetë institucioni, pse duhet t’i caktojë Kuvendi?Lulëzim Lelçaj: Ligji në shqyrtim nuk përcakton numrin e automjeteve apo numrin e personelit dhe është përgjegjësi e qeverisë të garantojë funksionimin e institucioneve, ashtu siç garanton godinat për funksionimin e tyre.Kujtim Puto: A cenohet statusi dhe siguria e institucioneve?Lulëzim Lelçaj: Siguria funksionale gjen rregullim në ligjin e qeverisë. Siguria e përfaqësuesve të institucioneve rregullohet me ligjet e tjera që sigurojnë personalitetet.Vladimir Kristo: Ju nuk keni respektuar aspektin hierarkik. A e dini ju se anëtari i Gjykatës Kushtetuese barazohet në pagë me ministrin dhe jo me deputetin, ndërsa Kryetari i Gjykatës Kushtetuese është i katërti në hierarkinë e shtetit. Nuk duhet anëtari i Gjykatës Kushtetuese të barazohet me deputetin.Lulëzim Lelçaj: Niveli i trajtimit me bonos i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese është barazuar me deputetin e qarkut të Tiranës. Ana protokollare ka dhe anë të tjera. Ajo nuk lidhet vetëm me trajtimin me makinë.Ardian Thanza: Cili ka qenë qëllimi i këtij ligji?Lulëzim Lelçaj: Ligji sjell një disiplinim të shpenzimeve.Sokoll Sadushi: Iniciativë e kujt ishte hartimi i këtij ligji? Marsida Xhaferrllari: Ligji ishte iniciativë e Ministrisë së Financave. Nga një analizë e saj, shpenzimet për një makinë ishin aq të mëdha sa ajo blihej tre herë.  Sokol Sadushi: Ka reduktim të shpenzimeve në gjyqësor nga ky ligj?Marsida Xhaferrllari: Nga informacioni i përgjithshëm që kam, është rritur masa e investimeve në gjyqësor.Kujtim Puto: Nëse me akte të tjera nënligjore apo ligjore gjyqtarëve u janë dhënë përfitime, a mund të hiqen ato në një të ardhme? Kjo do të ndikojë në pavarësinë e gjykatës në gjykimin e çështjeve?Marsida Xhaferrllari: Diskutimi duhet të fillojë se sa ndikon në pavarësinë e gjyqësorit dhënia e përfitimeve.Kushtetuesja pezulloi zbatimin e ligjitGjykata Kushtetuese pezulloi zbatimin e disa neneve të ligjit për makinat e gjyqtarëve, deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Mbledhja e gjyqtarëve vendosi më 25 nëntor, një ditë para se të hynte në fuqi ligji, pezullimin e zbatimit të tij. “Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, duke çmuar se zbatimi i menjëhershëm i dispozitave të ligjit objekt shqyrtimi, mund të sjellë pasoja të pariparueshme për institucionet gjyqësore vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të nenit 2, pika 1 dhe 2, nenit 3, 4 dhe 6 të Ligjit nr. 10160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civil”, për sa i përket pikave 17 dhe 19 të lidhjes nr. 2, bashkëlidhur ligjit, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, shprehet Gjykata Kushtetuese në vendimin e djeshëm të saj.Mungesa e PS në Kuvend, penalizon deputetëtNga vendimi i pezullimit të zbatimit të ligjit nga ana e Gjykatës Kushtetuese përfitojnë vetëm gjyqtarët. Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk përfitojnë nga ky pezullim, për shkak të mungesës së deputetëve socialistë në Parlament. Nëse ata do të kishin bërë betimin, përmes kërkesës së 28 deputetëve, ligji për heqjen e makinave do të ishte pezulluar dhe për deputetët e Kuvendit, deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Ndërsa deputetët e maxhorancës nuk kanë shprehur asnjë kundërshti për heqjen e makinave dhe shoferëve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›