Korçë, rrëfehen grabitësit e kazinosë
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Grabitësit me maska e armë të kumarxhinjve në Korçë zbardhin në polici organizimin dhe më pas ndërhyrjen në kazinonë, ku luheshin miliona. Ndonëse tentuan të mohojnë krimin, Markel Busho dhe Gentian Kosta u dorëzuan shumë shpejt para grupit të hetimit, kur këta të fundit i ballafaquan me provat dhe faktet konkrete. Të rinjtë korçarë, 25 dhe 32 vjeç, pasi pranuan bashkëpunimin në krim, pjesën e “fajit” më të madh ia kanë deleguar 18-vjeçarit të shpallur në kërkim. Sipas tyre, ishte Mateo Alikaj ai që kishte shtënë me armë dhe jo ata. “Ishte një bisedë e rastësishme në kafene, që na informoi se pranë pikës së tregtimit të karburantit “SHELL” natën luhej kumar. Aty mësuam se shkonin persona që hidhnin në lojë shumë para. Kjo na joshi dhe së bashku me dy shokët e mi vendosëm t’i grabisnim ata”. Kështu deklaroi dje në polici 25-vjeçari Busho, e pas tij edhe i arrestuari tjetër. Pas arrestimit të dy të rinjve dhe shpalljes në kërkim të bashkëpunëtorit të tretë, policia e Korçës bëri të ditur se në orët e para të mëngjesit të së hënës, tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në një dhomë ku luhej bixhoz dhe kanë grabitur të gjithë personat që ishin brenda. Duke shtënë me armë, ata janë larguar pasi morën paratë që gjetën në tavolinat e kumarit dhe nëpër xhepat e personave që u gjendën aty, plot 600 mijë lekë. Sipas policisë, Gentian Kosta ka mohuar të kishte përdorur armë, duke pranuar vetëm grabitjen e parave. Mësohet se dy të rinjtë janë arrestuar teksa kishin dalë nëpër qytet, duke pandehur se autorësia e këtij krimi të rëndë ishte fshehur më së miri nën petkun e maskave që kishin përdorur. Policia gjeti edhe armën me të cilën u krye grabitja, një automatik me tytë të shkurtër. Së bashku edhe me gëzhojat që u gjendën në vendin e ngjarjes, arma është çuar në laboratorin qendror të Ministrisë së Brendshme. Dje në dhomën ku luhej bixhoz janë kryer ekspertiza të hollësishme. Gjurmët e breshërisë së plumbave ishin në tavan, mure dhe orendi. Policia pohoi se si pasojë e ngjarjes, u plagosën A.Pino, I.Bardhushi dhe Gj.Konopulli. Ky i fundit është nisur urgjent në Greqi për shkak të komplikacioneve. Sipas policisë, natën e ngjarjes në bixhoz po luanin shtetasit A. D., E. N., Gj. K., S.Dh., I.B., A.P., D.P. Të gjithë këta persona njihen në Korçë si biznesmenë. Ata kanë aktivitete të ndryshme biznesi të vogël apo të madh dhe sigurojnë të ardhura mbi mesataren e familjeve korçare. Tre grabitësit janë akuzuar për “Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake.