E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati për kartat, Leskaj: “Të hiqet taksa e votës”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme mbeten prioritet i Shqipërisë, por ato po vihen seriozisht në rrezik. Ky alarm është përsëritur nga socialistët gjatë seancës së djeshme plenare. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, theksoi se mungesa e kartave të identitetit është shkaku kryesor që do të rrezikojë zgjedhjet. Sipas Leskajt, pas hyrjes së Shqipërisë në NATO përgjegjësitë e politikës shqiptare janë më të mëdha, pasi tashmë vendi ynë do të jetë më i monitoruar. Por kreu i deputetëve demokratë Astrit Patozi hedh poshtë komentet e saj dhe të Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, duke i konsideruar ato thjesht si një alibi për humbjen e zgjedhjeve. Patozi tha se Rama është i vetmi kryetar partie që hallet e veta do t i bëjë halle të partisë dhe hallet e partisë t i kthejë në halle për gjithë shqiptarët. Ai shtoi se kryesocialisti është gjithashtu i vetmi kryetar që e çon partinë në zgjedhje jo me optimizëm, por duke vajtuar. Mazhoranca i ka bërë thirrje opozitës që të festojë së bashku me të për anëtarësimin në NATO. Përplasjet e deklaratave mes mazhorancës dhe opozitës kanë vazhduar për rreth 1 orë e 30 minuta.
Debatet
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mbetet një ngjarje historike sidomos për një vend si Shqipëria, që ka vuajtur jo vetëm izolimin 50-vjeçar si asnjë vend tjetër i rajonit, por edhe me një tranzicion shpesh traumatik. Po në fund ne do të matemi me standardet që plotësojmë jo me numrin e festave që bëjmë, për anëtarësimin, jo me dekoret. Shërbimi më i madh që mund t u bëhet shqiptarëve dhe gjithë procesit janë plotësimi i angazhimeve që kemi marrë përsipër”, - tha dje Leskaj, gjatë fjalës së saj në Kuvend. Ajo theksoi se një vend anëtar i NATO-s nuk mund të neglizhojë standardet që kërkon një demokraci funksionale, dhe standardi i parë i demokracisë funksionale janë zgjedhjet. “Zgjedhjet janë në rrezik pa karta identiteti. Çështja e kartave mbetet sot vija ndarëse në se kjo qeveri ka vullnet për bërë zgjedhje të lira e të ndershme apo jo. Problemi më i madh sot është pagesa e kartës që në fakt është taksim i votës, bota demokratike ka kohë që është shkëputur nga taksimi i votës, Shqipëria po e vendos”, - tha ajo. Por deklaratave të saj iu kundërpërgjigj. Patozi. “Unë kam dëgjuar sot vajin e Kryetarit të Partisë Socialiste. Është paturpësi që hallin e tij do ta kthejë në hallin e një partie dhe hallin e një partie në hall të shqiptarëve. Halli i një partie nuk mund të jetë kurrsesi hall i shqiptarëve”, - tha ai. Kreu i deputetëve demokratë shtoi se vetëm një kryetar i papërgjegjshëm mund ta çojë partinë duke vajtuar në zgjedhje. Ai shtoi se anëtarësimin e Shqipërisë në NATO është një ngjarje historike dhe i vetmi që kërkoi të prishte festën në këtë ditë të shënuar ishte kreu i PS-së, Edi Rama. "Edi Rama kërkoi të prishte festën e anëtarësimit në NATO duke uruar i fundit këtë ngjarje. Ai kërkoi të prishte festën, ndaj dhe vendosi të organizojë aktivitetin në një ditë tjetër", - u shpreh Patozi. Ai rikonfirmoi në Parlament vullnetin e mazhorancës për zgjedhje të lira e të ndershme. "Ne jemi të vendosur të zhvillojmë zgjedhje të lira e të ndershme. Kryetari i PS-së nuk mund të ndalë vullnetin dhe entuziazmin e qytetarëve në rrugën e reformave". Debati vazhdoi me fjalën e Fatmir Xhafajt, i cili duke u bazuar te shifrat, theksoi se janë hapur stacione aplikimi vetëm në 60% të 331 njësive të qeverisjes vendore në të gjithë vendin. “Në 132 njësitë e qeverisjes vendore, ku ende nuk funksionojnë stacionet e aplikimit, teorikisht u mohohet e drejta e votës rreth 163.000 qytetarëve që nuk janë të pajisur me pasaportë. Kur kanë mbetur më pak se dy muaj deri në afatin përfundimtar të pajisjes me karta, saktësisht 56 ditë nga shifrat zyrtare, rezulton se kanë aplikuar në shkallë vendi rreth 400 mijë qytetarë, nga të cilët, vetëm 30% e tyre janë nga shtetasit që nuk kanë pasaporta dhe vetëm 15 për qind e tyre kanë mundur të marrin në dorë letërnjoftimin elektronik”, - tha ai. Por për demokratin Ferdinand Xhaferi opozita po vetizolohet dhe nuk pranon progresin që ka bërë vendi nën drejtimin e demokratëve. Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve do të jetë vetëm vullneti i shqiptarëve, të cilët kanë provuar si të majtën ashtu dhe të djathtën.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›