E Diel, 1 Nëntor 2026

Karta dhe listat paraprake, KQZ kërkon informacion nga Ministria e Brendshme

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t i dërgojë së shpejti Ministrisë së Brendshme një kërkesë zyrtare për t u informuar për gjithë procesin e shpërndarjes dhe prodhimit të kartave të identitetit, të cilat, së bashku me pasaportat, do të jenë të vetmet mjete identifikimi në zgjedhjet e 28 Qershorit. Në mbledhjen e zhvilluar dje nga KQZ, u pohua se do të kërkohet një informacion i detajuar dhe për ecurinë e shpalljes së listave paraprake të zgjedhjeve. Pak ditë më parë, në raportimin para komisionit ad hoc , nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi deklaroi se ende nuk ka asnjë të dhënë nga pushteti vendor lidhur me listat paraprake të zgjedhësve, duke lënë peng kështu vendimet e organit zgjedhor. “Ka një afat që po shkon drejt skadimit dhe procedura e riparimit të listave fillon e komplikohet, sepse humbasin të drejtën e një ankimi administrativ, e një riparimi në gjendjen civile. Ende nuk kemi asnjë të dhënë nga pushteti vendor lidhur me ecurinë e këtij procesi”, - deklaroi anëtarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Po dje, për shkak të disa përmirësimeve është shtyrë miratimi i procedurave dhe kritereve të akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore në Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ), Komisionin e Qendrës së Votimit (KQV) dhe në Vendin e Numërimit të Votave (VNV), nga KQZ-ja për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2009. Në bazë të udhëzimit, çdo parti politike/koalicion i regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor, ka të drejtë të caktojë nga një vëzhgues në KZAZ, KQV dhe për çdo tavolinë në Vendin e Numërimit të Votave, pas regjistrimit të listës shumemërore pranë KQZ-së, sipas rregullave që përcaktohen në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. Kërkesat e subjekteve zgjedhore për akreditimin e vëzhguesve i paraqiten KQZ-së jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve. KQZ-ja, miraton kërkesat e subjekteve zgjedhore për akreditim të vëzhguesve jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e tyre. Ndërsa ditën e mërkurë KQZ do të shqyrtojë projektudhëzimin "Për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e informacionit për procesin e numërimit të votave për zgjedhjet për Kuvendin 2009" dhe projektvendimin, "Për miratimin e “Fushatës së edukimit të zgjedhësve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2009, Edukimi i zgjedhësve nëpërmjet mediave, formave të shkruara dhe mediave audiovizive".
Ky lajm është publikuar: 07/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›