E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e ushtarakëve, çfarë pritet pas anëtarësimit në NATO

Autori i Lajmit: Entela Duraj
”Anëtarësimi në NATO nuk mjaftohet vetëm me këtë arritje, pasi kërkon standarde të tjera apo edhe kërkesa ekonomike ku vetëm taksa vjetore llogaritet në 700 mijë euro, e cila nuk është pak për shtetin shqiptar. Madje kjo taksë mendojmë se edhe mund të ndikojë negativisht në faturën që është llogaritur për ne ushtarakët, pasi do t i kushtojë dyfish qeverisë”, - thonë anëtarët e Shoqatës së Ushtarakëve

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO pritet të favorizojë edhe ish-ushtarakët në zbatimin e ligjit të Gjykatës Kushtetuese për përfitimin e pensioneve suplementare. Përfaqësuesit e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë shprehen për gazetën Ballkan se deri më tani nuk kanë asnjë sinjal pozitiv që lidhet me plotësimin e kërkesave të tyre për përfitimin e pensioneve. ”Jemi optimistë, por jo të sigurt se anëtarësimi i vendit tonë në NATO do të zgjidhë çështjen e pensioneve të ushtarakëve. Të shpresojmë pasi tashmë kjo është një detyrë për shtetin shqiptar,” shprehet kryetari i Shoqatës, Mehdi Pogaçe. Por më tej ata nuk harrojnë të përmendin edhe prapaskenat apo pengesat që mund ta zvarrisin sërish zbatimin e ligjit të Kushtetueses për pensionet, ashtu siç ka ndodhur deri më sot. ”NATO është një mburojë për ne. Por, pasiguria ekziston, pasi kur nuk u zgjidh për 4 vjet çështja jonë, nuk kemi shpresë se do të zgjidhet për 4 javë”,- thonë përfaqësues të shoqatës, duke lënë të nënkuptohet se kjo është një çështje që do të mbetet pas zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009.
Fatura
Ndonëse trajtimi i ushtarakëve me pensione suplementare është një standard më vete apo një kusht për shtetin shqiptar përballë anëtarësimit në NATO, ish-ushtarakët janë në pritje të sinjaleve qeveritare. ”Anëtarësimi në NATO nuk mjaftohet vetëm me këtë arritje pasi kërkon standarde të tjera apo edhe kërkesa ekonomike ku vetëm taksa vjetore llogaritet në 700 mijë euro, e cila nuk është pak për shtetin shqiptar. Madje kjo taksë mendojmë se edhe mund të ndikojë negativisht në faturën që është llogaritur për ne ushtarakët, pasi do t i kushtojë dyfish qeverisë”, - thonë anëtarët e Shoqatës së Ushtarakëve. Nga ana tjetër, ata argumentojnë se fatura kundrejt tyre nuk është e papërballueshme. Referuar faturës së llogaritur në qeverinë “Nano”, fatura për ushtarakët kap shifrën e 1.2 miliard lekëve, ndërsa ajo e qeverisë “Berisha” llogaritet 2.2 miliardë lekë. “Por për një shtet që mbledh kaq shumë taksa nuk është i pamundur sigurimi i fondit për pensionet e parakohshme të ushtarakëve. Kjo edhe për disa arsye të tjera. Tani një pjesë e ushtarakëve dalin në pension dhe vlera në vend të rritet, po pakësohet, një pjesë tjetër kanë ndërruar jetë edhe kjo një favor tjetër i qeverisë”, - theksojnë ushtarakët.
Homologët kroatë
Në një krahasim që Shoqata bën me shtetin kroat, i cili gjithashtu u anëtarësua në NATO njëkohësisht me Shqipërinë, ka disnivele ekonomike lehtësisht të evidentueshme. ”Rroga mesatare në Kroaci është 700 euro në muaj, për më tepër që një gjeneral atje paguhet 1200 euro në muaj që në krahasim me ne është shumë herë më lart. Por edhe kërkesat tona kundrejt qeverisë sigurisht që nuk janë luksoze , ne kemi marrë parasysh mundësitë ekonomike që ka qeveria jonë”, - theksoi më tej, Shkëlqim Beja, sekretar i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median pranë Shoqatës së Ushtarakëve.
Drafti
Ndërsa lidhur me draftin për pensionet e ushtarakëve ende nuk ka asnjë të re. Jo vetëm që ata nuk janë thirrur për të qenë përfaqësues në hartimin e draftit të ri (për të cilin flitet) por as nuk janë njoftuar për ecurinë e punimeve aktuale. Për ushtarakët çështja është lënë qëllimisht pezull duke i dhënë rëndësi absolute fushatës elektorale. ”Lidhur me projektin apo draftin NATO është informuar, ne i kemi çuar një peticion ku i kemi bërë të qarta problemet e ushtarakëve të të gjithë Shqipërisë. Kohët e fundit ne kemi marrë pjesë në një Konfederatë të Ushtarakëve në Rezervë, e cila u mbajt në Bruksel”, - thonë përfaqësuesit e Shoqatës. Më tej ata argumentojnë se aktualisht, qeveria ka dy ligje të botuara të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë me të cilat ushtarakët janë dakord dhe e kanë favorizuar qeverinë, duke i lënë të zgjedhë ligjin që i leverdis më shumë ekonomikisht, por asnjë nga këto ligje nuk po zbatohet. Njëri është i qershorit 2005 i Partisë Socialiste dhe tjetri i shkurtit 2006, i Berishës, që u korrigjua me gjykimin e Kushtetueses në tri nene të tij që lidhen me pagesën. Pra sipas ushtarakëve, nuk ka nevojë për projekte të tjera, pasi janë dy ligje të botuara dhe me të cilat ata janë dakord, pra 94/18 dhe 94/81, por se mungon vullneti politik për ta zbatuar një nga të dy ligjet ekzistuese.

Vendimi i gjykatave
Kur ka një vendim të Gjykatës së Lartë për pensionin e parakohshëm të ushtarakëve, gjykatave s u mbetet tjetër veçse të konfirmojnë atë. Vendimi i Gjykatës së Lartë për pensionin e parakohshëm të ushtarakëve duhet të zbatohet. Gjykatat e Rretheve Gjyqësore ndodhen sot përballë realitetesh të pakundërshtueshme. Realiteti i parë është ai se ato po përballen e do të përballen gjithnjë e më shumë me një numër më të madh kërkesëpadish nga ushtarakët kundër Sigurimeve Shoqërore që rrokin trajtimin me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe atë pension suplementar pleqërie. Realiteti i dytë është se ndodhen përballë disa vendimeve përfundimtare të formës së prerë të dhëna nga Gjykatat e Apelit për këto probleme dhe se për këto ka disa vendime përfundimtare të formës së prerë të Gjykatave të Apelit si dhe dy vendimeve të Gjykatës së Lartë, vendimit Nr.60, datë 18.01.2005 dhe vendimit Nr.14, datë 28.01.2005. Po t i referohemi Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë, të dy këtyre realiteteve me dispozitat e tij u ka dhënë zgjidhje.

Instituti i Kurrikulave
NATO, data historike hyn në librat e shkollës
Organizmat ndërkombëtarë në tërësi, si dhe NATO e BE në veçanti po zënë një vend të rëndësishëm në tekstet e historisë të sistemit arsimor të mesëm. Shefi i sektorit të arsimit të mesëm të përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, Ndriçim Mehmeti, ka shpjeguar dje për mediat se "Instituti i Kurrikulave dhe i Tajnimit (IKT) po parashikon programet e reja që do të hartohen për arsimin e mesëm, (në kuadër të ndryshimeve strukturore nga katër vjet në tre), për vendin që do të zënë Organizmat Ndërkombëtare në tërësi dhe NATO e BE në veçanti". "Përcaktimi i tematikës në programin lëndor po ndihmon hartuesit e teksteve të historisë të jenë më të vëmendshëm në trajtimin e çështjeve të integrimit euroatlantik. Nga ana tjetër, politika e Altertekstit po jep mundësi edhe më të mëdha të trajtimit në mënyrë të larmishme të kësaj çështjeje", - vlerësoi Mehmeti. Ai nënvizoi se rruga drejt reformimit të kurrikulës po tenton gjithnjë e më tepër më afër interesave të zhvillimit ekonomik, social e kulturor të vendit, pavarësisht se "procesi i reformimit nuk është i lehtë, edhe për shkak të një tradite kurrikulare të ideologjizuar dhe disi skematike në të kaluarën, veçanërisht në lëndët shoqërore". Si në kurrikulën e arsimit 9-vjeçar, edhe në atë të arsimit të mesëm, ka arritje, të cilat kanë bërë që cilësia e tekstit të vijë duke u rritur, në përgjigje të kërkesave të kohës. "Në këtë këndvështrim, kur flasim konkretisht për lëndën e historisë që zhvillohet në shkollat e mesme, këto përpjekje janë gjithnjë e më të dukshme. Në përmbajtjen e këtyre teksteve janë parë me përparësi konceptet më kryesore që duhet të njohë nxënësi, në varësi të moshës, si ngjarjet që kanë lënë më shumë gjurmë në aspektin pozitiv dhe negativ në historinë e Evropës dhe të botës", - tregon Mehmeti. Sipas tij, tashmë një vend i veçantë në kurrikulën e arsimit të mesëm u kushtohet zhvillimeve historike në Shqipëri dhe hapësirës mbarëshqiptare, prej periudhave më të hershme deri në ditët tona. Duke u ndalur tek teksti i historisë (profili natyror), që zhvillohet në vitin e tretë të shkollave të mesme, Mehmeti thotë se ky është teksti që përfshin pikërisht atë periudhë historie që ne mësuesit e quajmë historia e kohës moderne, zhvillimet e së cilës sollën një tjetër vizion në shumë shtete të botës. Për këtë arsye, vijon ai, autorët e këtij teksti kanë bërë përpjekje të ngrenë në nivelin më të mirë njohuritë për zhvillimin e ngjarjeve dhe tiparet që kanë shoqëruar shtete të ndryshme, të përfshira në përmbajtjen e tekstit. Ndërsa vlerëson arritjet e deritanishme, Mehmeti shton se "kur bëhet fjalë për një organizatë të tillë si NATO, informacioni kufizohet vetëm rreth datës së themelimit të kësaj organizate dhe rivales së saj, Traktatit të Varshavës. Krejt e kundërta ndodh me një tjetër organizatë të njohur dhe me mjaft ndikim në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, BE-në". Në pasqyrimin e BE-së zënë vend historia e krijimit të saj, vendet themeluese, tendencat e zgjerimit të saj, sfidat për të ardhmen. "Kjo është një arritje pozitive nëse ne pretendojmë se arsimi duhet t i paraprijë vendit në sfidat e zhvillimit, kjo mbart vlerë jo vetëm informative, por edhe ndërgjegjësimi për vështirësitë në rrugën e integrimit drejt BE-së", - theksoi Mehmeti, duke nënvizuar se jashtë vëmendjes nuk kanë mbetur dhe prirjet euro-pesimiste dhe euro-optimiste si edhe burimi i këtyre bindjeve. Aktualisht njohja e organizatave botërore përfshihet në kurrikulën e arsimit bazë dhe të mesëm. Nxënësit e klasës XII bëjnë orë të zgjeruara si në histori, sociologji, tema të veçanta për organizatat ndërkombëtare. Ndërkohë që njohuritë për to thellohen më shumë në klasën XI.
Ky lajm është publikuar: 07/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›